Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 20 vite burg për Nevaldo Hajdarajn, efektivin e policisë që vrau Klodian Rashën me akuzën e “vrasjes me dashje”. Por duke përfituar gjykimin e shkurtuar, ai mund të dënohet 13 vjet e 4 muaj.
Gjatë seancës gjyqësore ka qenë i pranishëm edhe babai i viktimës, Qazim Rasha. Vendimi për ish-efektivin, do të shpallet në datë 17 qershor.
Mëngjesin e 8 dhjetorit 2020, Hajdaraj vrau me armë zjarri 25-vjeçarin Klodian Rasha, në Tiranë. Ngjarja ndodhi teksa prej 17 nëntorit qeveria kishte vendosur kufizimin e lëvizjeve si masë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Punonjësi i policisë e arsyetoi veprimin mbi faktin se Rasha nuk i ishte bindur thirrjes për të ndaluar dhe se dyshonte të ishte i armatosur. Policia njoftoi se kishte gjetur një pistoletë rreth 200 metra larg vendngjarjes.
Mirëpo tre muaj më pas, nga hetimet e kryera rezultoi se pistoleta “model turke sportive” nuk ishte e Rashës, pasi nuk kishte asnjë gjurmë që e lidhte me atë. Kjo bëri që prokuroria të ndryshonte akuzën nga “vrasje në kapërcim të kufijve të mbrojtjes” në “vrasje me dashje”.
Vrasja e tij, shkaktoi një valë protestash në vend, që u shoqërua me dhunë nga ana e grupeve të të rinjve, të cilët kërkonin drejtësi. I detyruan nga kjo situatë, ish-ministri i Brendshëm, Sandë Lleshaj dha dorëheqjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.