Kombëtarja shqiptare po stërvitet që prej së martës në Uells, ku të shtunën do të luajë një miqëosre me ekipin vendës. Në konferencë shtypi kanë dalë sot dy nga titullarët më të rëndësishëm të kuqezinjve, Sokol Cikalleshi dhe Keidi Bare, të cilët e konsiderojnë një test të rëndësishëm ndeshjen me Uellsin.
Cikalleshi, i cili vjen pas një sezoni mjaft të mirë në Turqi, ka theksuar: “Ka qenë një sezon i gjatë për të gjithë prej pandemisë dhe ndeshjeve të ngjeshura, por ka kaluar dhe jemi fokusuar te ndeshjet e Kombëtares. Janë miqësore, por sigurisht që nuk i konsiderojmë të tilla. Këto dy ndeshje na bëjnë të provojmë veten ku jemi përpara provës së zjarrit në shtator. Janë dy ekipe që kanë shkuar në Europian dhe besoj janë të të njëjtit nivel si kundërshtarët tanë në grup.

Trajneri do të provojë taktikat e tij për të marrë më të mirën në këto dy ndeshje. Jemi në një moment delikat, vijmë pas Ligës së Kombeve, ku u renditëm të parët. Tani jemi në një kompeticion më të forte, me kundërshtarë më të fortë, ndaj jemi në një moment deciziv për të parë ku jemi. Do të kemi të njëjtin përqëndrim si në ndeshjet e shtatorit.
Skemat i përkasin trajnerit, ai e di më mirë dhe besoj se do të zgjedhë më të mirën nga kontigjenti që ka. Skema jonë është 3-5-2, kemi luajtur në të gjitha ndeshjet, përveç Anglisë. Rëndësi ka që ne lojtarët të fokusohemi për të bërë performancën më të mirë. Çdo ndeshje është e rëndësishme, pavarësisht kundërshtarit dhe pavarësisht gjendjes ku jemi.
Të jesh pjesë e Kombëtares, nuk do të thotë të jemi të lumtur vetëm kur luajmë, ndaj do jem shumë i gatshëm të bëj më të mirën time. Patjetër që dua të shënoj, ta ndihmoj ekipin, për këtë jam këtu, por është trajneri që i vendos të gjitha. Uellsi është një ekip fizikisht shumë i mirë. Është ekip për t’u vlerësuar dhe besoj në të njëjtin nivel me kundërshtarët tanë të shtatorit”.
Cikalleshi foli edhe për të ardhmen: “Kam edhe një vit në kontratë me Koniaspor, kam mbyllur një sezon të mirë. Do ta respektoj kontratën deri në fund. Në momentin që do të ketë ndonjë ofertë interesante, do ta shqyrtoj me detaje. Tani është herët për të folur për këtë gjë, të bëjmë më të mirën në Kombëtare, pastaj kemi pushimet”.
Bare: Botërori, një ëndërr për të gjithë
Edhe Keidi Bare, mesfushori fierak, vjen pas një sezoni shumë të mirë në apsektin personal. Ai u ngjit në La Liga me Espanjolin, duke qenë një nga lojtarët kyç të tij. Për dy miqësoret e radhës, Bare u shpreh: “Janë dy ndeshje të rëndësishme, pasi në shtator kemi dy ndeshje edhe më të rëndësishme. Do të provojmë veten në këto dy sfida. Për mesfushën them se jemi lojtarë shumë të rinj të gjithë. Në këto dy ndeshje kemi mungesa në mesfushë, por jam 100% i bindur që si unë dhe lojtarët e tjerë do japin maksimumin.

Do tregojmë vlerat tona dhe shpresoj që në fushë të jemi të gjithë të një niveli shumë të lartë, pasi janë ndeshje shumë të rëndësishme, duhet të përgatitemi për sfidat e shtatorit. Rezultati është i rëndësishëm për skuadrën, pasi të ngre moralin, por duhet të formojmë grupin, të bëjmë ndeshje të mira.
Çfarë duhet përmirësuar e di trajneri, të gjithë lojtarët japin maksimumin në stërvitje dhe ndeshje. Do doja shumë të kisha shumë vite në Kombëtare, por edhe tek Espanjoli. Duhet të punoj fort dhe të jem i fokusuar për t’i bërë gjërat mire, pastaj të shohim sç’do të ndodhë. Jam shumë më i pjekur, pasi shumë lojtarë në Kombëtare dhe tek Espanjoli më kanë ndihmuar. Kam edhe 4 vite kontratë me Espanjolin dhe jam shumë i lumtur, sepse më kanë mbështetur. Tani jam në La Liga, që e kam ëndërruar prej shumë kohësh.
Kualifikimi me Kombëtaren? Në futboll asgjë nuk është e pamundur. Kombëtarja shqiptare para disa vitesh shkoi në Europian, se të mos arrijmë edhe një kualifikim në Botëror? Do ishte ëndërr për të gjithë shqiptarët. Ne do japim maksimumin për të arritur këtë qëllim. Do isha i lumtur të vazhdoj të shënoj gola, pavarësht se tek ekipi im nuk luaj në të njëjtin rol si luaj në Kombëtare, ku jam pak më i avancuar, më afër portës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




