"Ju kërkoj falje, më falni, të gjithë të afërmve të viktimave, të cilëve u kam shkaktuar kaq shumë dhimbje dhe kaq shumë trishtim".
Me këto fjalë, pesë vjet më parë - pas 20 vitesh burg dhe bashkëpunim me ligjin - Giovanni Brusca filloi një intervistë të gjatë për një dokumentar me regjisorin francez, Mosco Levi Bocault, i cili po realizonte filmin "Corleone".
Në film, ka imazhe dhe zëra të mafiozëve të penduar, hetuesve të anti-mafias dhe dëshmitarëve të mbledhur nga klani i Totò Riinas.
Midis atyre dëshmive, qëndron ajo e Giovanni Bruscas, e regjistruar për disa orë në një dhomë intervistimi në burgun roman të Rebibbias, ku ekzekutori material i masakrës së Capaci-t (vendi ku ndodhi ngjarja) u paraqit i maskuar për të mos u njohur, por me zërin e tij origjinal të dëgjuar disa herë në proceset gjyqësore ndaj mafies.
Para kamerës, vrasësi i besuar i Riinas, tregoi për lidhjen e tij me “Cosa Nostra”-n, parimet e organizatës mafioze, krimet që ai pa dhe ato që bëri, përfshirë ato për të cilat ai u bë i famshëm në të gjithë botën: bëhet fjalë për masakrën në të cilën gjykatësi i Palermos, Giovanni Falcone, Francesca Morvillo (bashkëshortja e tij) dhe tre agjentët e shoqërimit, Antonio Montinaro, Rocco Dicillo dhe Vito Schifani humbën jetën në atentat, si dhe vrasja e Giuseppe Di Matteos, djali i të penduarit, Santo Di Matteo (i cili u mbyt me litar dhe mw pas trupi iu shkri nw acid).
Por, para se të fillonte të zbulonte sekretet e “Cosa Nostra”-s dhe të jetës së tij, si një vrasës dhe bashkëpunëtor i drejtësisë, Brusca donte të bënte një deklaratë paraprake për të kërkuar falje për familjarët e shumë viktimave që ai kishte në ndërgjegjen e tij.
Dhe ai shfrytëzoi rastin për t’i kërkuar falje edhe gruas që në atë kohë ishte ende bashkëshortja e tij dhe djalit të tij, për zgjedhjen e dyfishtë që shënoi ekzistencën e tij dhe të familjes: në fillim me mafien dhe më pas i penduar.
"Ajo e bashkëpunimit me drejtësinë, është gjithmonë një zgjedhje e denigruar, - shpjegoi Brusca, - por është e drejtë, sepse shërben për t'i dhënë fund asaj fabrike vdekjeje që quhet “Cosa Nostra’".
Videoja, me kërkesë për falje, përfundoi në regjistrat e dosjes së tij penale, për t'u vlerësuar nga gjykatësit, që me kalimin e kohës i dhanë atij mundësinë për të lënë qelinë, si dhe ditët e lirimit të parakohshëm, që i ka përfituar për “sjellje të mirë”.
Por që i mohuan atij “arrestin shtëpiak”, duke e mbajtur atë në burg deri në fund të dënimit 25-vjeçar. Të paktën deri dy ditë më parë.
Burimi: "Corriere della Sera"; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.