Bota

Ekzekutoi Falkonen, lirohet pas 25 vjetësh ish-krahu i djathtë i bosit të “Cosa Nostra” (FOTO)

Bosi i mafies, Giovanni Brusca, 64 vjeç, krahu i djathtë i ish-bosit të “Cosa Nostra”-s, Totò Riina, ka lënë qelinë e burgut pas 25 vjetësh, përpara se të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë, duke pranuar ndër të tjera, rolin e tij në masakrën e Capaci-t dhe në vrasje të tjera. Brusca la qelinë e burgut të Rebibbias në Romë, 45 ditë para se t’i përfundonte dënimi.

Gjykata e Apelit të Milanos ka vendosur që për katër vite të jetë nën liri me kusht, si dhe nën kontrollin dhe mbrojtjen nga shteti.

Brusca ishte ai që më 23 maj 1992, drejtoi komandën e aksionit të vënies së bombës në autostradën siçiliane në afërsi të qytezës së Capacit, ku gjetën vdekjen Prokurori i Antimafias, Giovanni Falcone, bashkëshortja e tij Francesca Morvillo dhe tre truproje të tij.

Brusca është edhe autori i vrasjes së tmerrshme të 11-vjeçarit, Giuseppe Di Matteo, djali i Santino Di Matteo, ish-mafiozi që vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë. Vogëlushi u mbyt me litar dhe trupi i tij u shkri në acid.

Giovanni Brusca u arrestua më 20 maj të vitit 1996 dhe vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë italiane, duke rrëfyer krimet e mafies siçiliane në Romë dhe Firenze pas viteve ’90.

Rrëfimet e tij shërbyen në ekzekutimin e mjaft operacioneve të Antimafias, si dhe për hetimet e mega-procesit në Itali, i quajtur, shteti kundër mafies.

Dëshmitë e tij, sollën lehtësimin e dënimit, duke përfituar dhe nga një klauzolë speciale, si i konsideruar "bashkëpunëtor i besueshëm i drejtësisë".

Dalja nga burgu e krahut të djathtë të Toto Riinas, ka hapur një kapitull të ri për drejtësinë italiane me përgjegjësinë e sigurisë së jetës për familjarët e tij si dhe për vetë ish-bosin mafioz. Sidoqoftë, lirimi i tij ka shkaktuar reagime kritike. Familjarët e viktimave janë shprehur të shqetësuar.

Qëndrime kritike ka pasur edhe nga politika italiane, e cila e ka konsideruar të papranueshme lënien të lirë të një personi që gjatë jetës së tij ka kryer vrasje makabre.

"Teknikisht e pashmangshme dalja e tij nga burgu, por moralisht e papranueshme", - është komenti i bërë nga ministrja për Jugun e Italisë, Mara Carfagna. "Nuk është kjo drejtësia që meritojnë italianët", shkruan lideri i Lega Nord, Matteo Salvini.

"Lënia e lirë e një individi të tillë është një fyerje për viktimat e mafies dhe ndaj atyre që çdo ditë janë në vijën e frontit kundër krimit të organizuar. Ky lajm është një disfatë dhe një turp për Italinë", - janë fjalët e lideres së partisë Fratelli D'Italia, Giorgia Meloni.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë