Secili prej kandidatëve për kreun e PD-së do të përfaqësohet me nga një anëtar në komisionin zgjedhor, por ata nuk do të mund të kenë në dorë listën e anëtarësisë siç kanë kërkuar përmes deklaratash publike.
Kryetari i Komisionit Zgjedhor, Jemin Gjana ka sqaruar proçedurën që do të ndiqet në garën për kryetar.
“Komisioni Zgjedhor për Kryetarin e PD plotësohet me 4 anëtarë.
Secili kandidat ka 1 përfaqësues të tij në komision.
Kandidatët do të kenë përfaqësuesit e tyre në komisionet e votimit në të gjithë vendin. Ata do të trajnohen me ndihmën e fondacionit Konrad Adenauer.
Modalitetet e fletës së votimit do të përcaktohen deri në datën 6 qershor, ndërsa deri në dt 7 qershor caktohen vendvotimet, bazuar në propozimet e degëve.
Materialet e votimit do të tërhiqen nga kryetari komisionit të votimit dhe secili kandidat ka të drejtë të vendosë një shoqërues për materialet e votimit në çdo degë”, tha Gjana.
Më tej, ai sqaroi pikën me delikate që lidhet me listën e anëtarësisë, një kopje të së cilës e kanë kërkuar kandidatët në funksion të zgjedhjes për kryetar.
“Lista e anëtarësisë së PD është me 75 067 anëtarë. Lista është e kyçur dhe sistemi mund të kontrollohet vetëm në praninë e përfaqësuesve të kandidatëve për kryetar të PD.
Kemi diskutuar në komision për listat e anëtarësisë mbi debatin a mund të kenë kandidatët listat. Rregullat e lojës edhe në një organizatë politike nuk mund të jenë mbi ligjin. Kemi ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili detyron që askush nuk mund ta shkelë pa autorizimin e individit që na ka dorëzuar të dhënat.
Përkatësia politike është një e dhënë sensitive personale.
Këto të dhëna mund të aksesohen vetëm nga ekspertët që caktojnë vete kandidatët, duke e bërë procesin të besueshëm dhe transparent”, tha Gjana.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.