Njësia Administrative e Shënkollit në Bashkinë e Lezhës është vjedhur gjatë natës nga persona të paidentifikuar. Vjedhja është konstatuar vetëm mëngjesin e të mërkurës nga punonjësit e njësisë.
Administratorja e Njësisë Shënkoll, Lina Guri ka thënë se nuk ka dokumentacione të vjedhura, por janë shkatërruar dyert dhe sirtarët, si dhe janë marrë dy aparate fotografikë. Në këtë institucion, ishin zyrat e ALEAT për aplikimin dhe procesin e kartës ID dhe pasaportës, si dhe qendra shëndetësore.
“Në orën 8 pa 5 kemi konstatuar vjedhjen. Këtu ndodhet edhe qendra shëndetësore, është zyra e ALEAT-it dhe zyrat e specialistëve. Nuk e dimë nga kanë hyrë, por është dëmtuar prona, dyert janë shkatërruar, sirtarë tavolinash, janë marrë dy aparate fotografik tek zyra ALEAT-it”, – tha Guri.
Administratorja shprehet se grabitja ka ndodhur lehtësisht, ngaqë institucioni nuk kishte roje sigurie.
“Ne nuk kemi roje. Unë isha me praninë e policisë dhe nuk ka asnjë dokument të vjedhur. Se nga kanë hyrë ne nuk dimë asgjë. Këtu kanë qenë më shumë se 50 të moshuar që do të bënin vaksinën. Në vjen keq, por do t’i shërbejmë nesër”, – shtoi ajo për mediat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




