Ka ndodhur

Kapet gomonia me 577 kg kanabis në Karaburun, gati për t’u nisur drejt Italisë

Një gomone është sekuestruar në Vlorë e mbushur me lëndë narkotike në zonën e Karaburunit, gati për t’u nisur drejt brigjeve italiane.

Policia sqaron se në gomone u gjetën 577 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa dhe u arrestuan tre persona, të cilët janë Mandi Begaj, Herman Muçaj dhe Ëngjëllush Mukaj,  banues në Vlorë.

Operacioni është zhvilluar nga Shërbimet e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Delta Forcë, Guardia di Finanza, Policinë Kufitare Vlorë dhe QNOD.

Sipas uniformave blu, ndjekja nga deti dhe toka zgjati disa orë. Në vendin e quajtur “Gjiri i Dafinës”, pranë Karaburunit, personat që ishin në bord, në pamundësi për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë, tentuan të braktisnin mjetin lundrues dhe të largoheshin, por u kapën dhe u prangosën gjatë ndjekjes nga policia.

Gomonia ka qenë 9 metra e gjatë, me dy motorë dhe gati për t’u nisur drejt brigjeve italiane. Pas sekuestrimit, policia e ka ankoruar gomonen në Radhimë të Vlorës, ku i është nënshtruar ekspertizës përkatëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë