Shendet

Ekspertët: Janë raportuar vetëm 16.7% të vdekjeve me Covid-19

Sipas raportit të fundit nga Instituti “Health Data”, Shqipëria cilësohet ndër vendet e para me nivelin më të lartë të vdekjeve nga Covid-19. Ndër të dhëna shpjegohet gjithashtu se numri i vdekjeve reale është disa herë më i lartë nga ai i raportuar nga autoritetet shëndetësore. Të dhënat tregojnë se vendi unë në total ka pasur 529 vdekje për 100 mijë banorë nga marsi i vitit 2020 deri në maj të vitit 2021.
Ekspertët e Shëndetit Publik shpjegojnë se raporti vjen nga një institut i besueshëm dhe në bazë të përllogaritjeve, qëndron.

Erion Dasho


“Vlerësohet se janë mbi 15 mijë vdekje nga Covid-19. Ndërkohë të raportuara janë më pak se 2,500”, shpjegon Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik.
Ndërsa eksperti Ilir Alimehmeti thotë se në bazë të këtij raporti vërehet se vdekjet e larta të raportuara janë më të larta në grupin e Europës Lindore dhe mund të ketë një sërë arsyesh për këtë fakt, duke nisur edhe nga sistemin shëndetësor në këto vende.


“Duke u bazuar në shifra në shkallë botërore janë kapur rreth 46% të vdekjeve. Ndërsa në vendin tonë janë kapur rreth 16.7 për qind e vdekjeve. Shifra e raportuar nga raporti del 6 herë më e lartë se sa shifrat e institucioneve,” shpjegon eksperti Alimehmeti.

Ilir Alimehmeti


Më tej eksperti shpjegon se duke marrë parasysh edhe numrin e tamponëve të bërë në popullatë kuptohet që vendet që kanë bërë më shumë tamponë kanë kapur më shumë raste.
“Bazuar në shifrat e INSTAT janë diku rreth 9 apo 10 mije vdekje shtese, por IHME vlerëson 15 mijë vdekje nga Covid-19,” shton Dasho.
Të dhënat e renditin Shqipërinë ndër vendet që kanë normën më të ulët të deklarimeve zyrtare në raport me vdekjet totale, pas Bjellorusinë, dhe Azerbajxhanit.

Në rang global rezulton se COVID-19 ka shkaktuar afërsisht 6.9 milion vdekje, më shumë se dyfishi i asaj që tregojnë shifrat zyrtare. IHME zbuloi se vdekjet nga COVID-19 janë raportuar dukshëm në pothuajse çdo vend. Analiza tregon sipas rajoneve, Amerika Latine dhe Karaibet dhe Evropa Qendrore, Evropa Lindore dhe Azia Qendrore ishin më të goditurat për sa i përket vdekjeve totale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë