Dy shtetas nga Jordania janë arrestuar në Tiranë, pasi tregtonin mallra të skaduara. Bëhet fjalë për Y.R., 57 vjeç dhe A.R., 28 vjeç, të lindur në Jordani dhe banues në Tiranë.
Dy të ndaluarit kishin hapur një magazinë të marrë me qira, ku tregtonin në sasi të mëdha produktesh të ndryshme konsumi, të cilat kishin tejkaluar afatin e skadencës.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi iu fshinin datat e skadencës produkteve të skaduara, duke përdorur lëndë kimike, ata iu vendosnin atyre data të reja skadence, për të shtyrë afatin e përdorimit deri në dy vjet.
Policia sekuestroi një vulë që përdorej për falsifikimin e datave të skadencës, 3 shishe me lëndë kimike, të cilat përdoreshin për fshirjen e datave të prodhimit dhe skadencës, si dhe produkte të ndryshme të skaduara dhe me datë prodhimi të falsifikuar.
Ndaj dy jordanezëve, rëndon akuza për veprat penale “Mashtrim me produktet ushqimore” kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i vulave, stampave dhe i formularëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




