Sipas një raporti të fundit Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të vdekjeve reale nga Covid-19 në raport me popullatën. Gjetjet e publikuara nga “Institute Health Data” një institut amerikan për vlerësimin e shëndetit me qendër në Uashington, tregojnë se vendi unë në total ka pasur 529 vdekje për 100 mijë banorë nga marsi i vitit 2020 deri në maj të vitit 2021.
Ekspertët e Shëndetit Publik të vendit tonë shpjegojnë se raporti vjen nga një institut i besueshëm dhe në bazë të përllogaritjeve qëndron.
“Vlerësohet se janë mbi 15 mije vdekje nga Covid-19. Ndërkohë të raportuara janë me pak se 2,500”, shpjegon eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho.
Ndërsa eksperti Ilir Alimehmeti shpjegon se në bazë të këtij raporti vërehet se vdekjet e larta të raportuara janë më të larta në grupin e Europës Lindore dhe mund të ketë një sërë arsyesh për këtë fakt, duke nisur edhe nga sistemin shëndetësor në këto vende.
“Duke u bazuar në shifra në shkallë botërore janë kapur rreth 46% të vdekjeve. Ndërsa në vendin tonë janë kapur rreth 16.7 për qind e vdekjeve. Shifra e raportuar nga raporti del 6 herë më e lartë se sa shifrat e institucioneve,” shpjegon eksperti Alimehmeti.
Më tej eksperti shpjegon se duke marrë parasysh edhe numrin e tamponëve të bërë në popullatë kuptohet që vendet që kanë bërë më shumë tamponë kanë kapur më shumë raste.
“Bazuar në shifrat e INSTAT janë diku rreth 9 apo 10 mije vdekje shtese,” shton Dasho.
Të dhënat tregojnë se vdekjet në vendin tonë janë disa herë më të larta nga ato të raportuara, gjë që e rëndit Shqipërinë ndër vendet që kanë normën më të ulët të deklarimeve zyrtare në raport me vdekjet totale, pas Bjellorusinë, dhe Azerbajxhanit.
“Health Data” shkruan se për të vlerësuar saktë vdekshmërinë totale të COVID-19, duhet të marrim parasysh dis faktorë nxitës të ndryshimit të vdekshmërisë që kanë ndodhur që nga fillimi i pandemisë të cilat janë:
- niveli i përgjithshëm i vdekjeve nga COVID-19.
- rritja e vdekshmërisë për shkak të shtyrjes së kujdesit shëndetësor të nevojshëm në pandemi.
- rritja e vdekshmërisë për shkak të rritjes së çrregullimeve të shëndetit mendor dhe përdorimin të tepërt të opideve.
- zvogëlimi i vdekshmërisë për shkak të kufizimit të lëvizjeve.
- zvogëlimet e vdekshmërisë për shkak të transmetimit të ulët të viruseve të tjerë.
- zvogëlimet e vdekshmërisë kronike.
Të dhënat tregojnë se në mbarë globin, Covid-19 ka shkaktuar 6.9 milionë vdekje ose 2 herë më shumë sesa është deklaruar zyrtarisht. Ky vlerësim është përqendruan në matjen e vdekjeve shtesë gjatë pandemisë krahasuar me atë që do të pritej, bazuar në trendet dhe sezonalitetin e viteve të kaluara.
Raporti thotë se pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut me 482 për 100 mijë banorë, Meksika me 478 vdekje për 100 mijë banorë, Bjellorusia me 472 për 100 mijë banorë, Rumania me 465 për 100 mijë banorë, Kazakistani me 459 për 100 mijë banorë, Peruja me 447 për 100 mijë banorë.
Ndërkaq të dhënat e përgjithshme kanë treguar se shtetet me nivelin më të lartë të vdekjeve janë SHBA, me 912 mijë humbje jete, India me 736.8 mijë, Meksika me 621.9 mijë, Brazili me 616.9 mijë dhe Rusia me 607.6 mijë.
Ndërsa në Europë, vendet me nivelin më të lartë të vdekjeve nisin me Mbretërinë e Bashkuar (210 mijë vdekje) të ndjekur nga Italia, me 178 mijë, Franca 134 mijë, Spanja me 124 mijë ,Gjermania me 123 mijë dhe Rumania me 89 mijë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje