Shendet

Ulja çmimit të tamponit PCR “është thjesht një ofertë”

Çmimi i tamponit PCR ka ndryshuar në laboratorët privatë nga 8500 lekë në 6500 lekë. Gazeta “Si” kontaktoi disa laboratorë privatë në Tiranë, të thanë se kjo nuk është një ulje përfundimtare e çmimit, por thjesht një ofertë për qytetarët, kryesisht për ata që do t’u vlejë si një mjet kalimi në vendet e tjera.
Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shpjegoi para pak ditësh në media se çmimi i tamponit nuk varet nga Ministria, por Ministrja tha se pavarësisht se është një ofertë tregu, ajo ka kërkuar nga kompanitë që të ulen për të diskutuar çmimin e tamponit.
Të mërkurën shtetet anëtare të BE ranë dakord të hapin kufijtë e jashtëm për udhëtarët e vendeve të treta si Shqipëria, që janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit. Pas një takimi në Bruksel, diplomatët ranë dakord gjithashtu për të rritur nivelin e rasteve të reja për 100 mijë banorë që është vënë si kusht hapjen e kufirit me një vend të tretë. Ndërkaq, nuk është plotësisht e qartë se si do të procedojnë qytetarët që kanë një pasaportë vaksinimi nga shteti shqiptar me vaksinat kineze dhe ruse që ende nuk janë miratuar nga EMA. Gazetasi.al ka kërkuar informacion vazhdimisht tek autoritetet shëndetësore por nuk ka marrë asnjë informacion për këtë gjë.
Testimi PCR, i quajtur ndryshe “fotokopjimi molekular”, reaksioni zinxhir i polimerazës (PCR) është cilësuar si një teknikë e domosdoshme për identifikimin e virusit Sars-Cov-2 pasi përqendrohet në kopjimet e vogla të ADN-së dhe kështu të gjitha vendet e kanë cilësuar si të domosdoshëm për udhëtarët, duke minimizuar kështu përhapjen e infeksionit. Që prej fillimit të pandemisë, ekspertët e shëndetit publik kanë shpjeguar se një pjesë e caktuar e genotipitit shumohet disa herë dhe në fund përcaktohet nëse gjenotipi i virusit ndodhet në provë. Nëse gjenotipi gjendet, atëherë pacienti është i infektuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë