Shendet

A mund të përzihet vaksina Coronavac me të tjerat?

Mungesa e përkohshme e vaksinave Coronavac në qendrat e vaksinimit dhe ofrimi i tyre “me kursim” qoftë edhe për dozën e dytë, ka risjellë në vëmendje idenë e praktikuar tashmë edhe në disa vende evropiane në mënyrë eksperimentale të marrjes së një tjetër lloj vaksine në dozën e dytë; pra të ketë përzierje të vaksinave.

Por a është e mundur kjo gjë dhe sa është menduar nga ekspertët në vendin tonë?
Alban Ylli, ekspert i Shëndetit Publik në ISHP, shpjegoi për Gazetasi.al se procesi i kombinimit të vaksinave është menduar, por nuk ka ende një vendim përfundimtar.
“Po ndiqet me vëmendje përvoja në Francë dhe studimi mbi kombinimin në Mbretërinë e Bashkuar”, shton Ylli.


Ndërsa Laidon Shapo, mjeku shqiptar në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar në Londër shpjegon për Gazetasi.al se nuk ka asnjë të dhënë që vaksina kineze mund të përzihet me ndonjë vaksinë tjetër.
“Ka disa studime, përfshi dhe një testim të gjerë të Oxfordit ku studiuesit po shohin sigurinë dhe efektivitetin e kombinimit të dy vaksinave një me adenovirus (si Oxford-AastraZeneca) dhe një dozë me një mRNA vaksine (si për shembull Pfizer-BioNTech) ose anasjelltas”, shtoi eksperti.
Sipas studimit që përmend doktor Shapo, gjetjet kanë treguar rezultate të mira në 830 raste dhe efektet anësore ishin të lehta, njësoj sikur pacientët të bënin dozat të së njëjtës vaksinë. Studimi i kryer pritet të tregojë rezultatet përfundimtare në muajin qershor. Studimi ka nisur në muajin shkurt për të parë nëse doza e dytë, e marrë nga një prodhues tjetër nga ajo e para, mund të ofrojë imunitet afatgjatë ose mbrojtje më të mirë kundër varianteve të reja.

Shapo tha se kombinimi i dy vaksinave me ‘mekanizëm’ të ndryshëm prodhimi, jep gjithsesi nxitje në përgjigjen imunitare.
“Por padyshim siguria e këtij kombinimi është ajo që kërkohet dhe survejohet. Franca dhe Gjermania e ofrojnë alternativën me një dozë të dytë Pfizer/Moderna tek personat nën 55 vjeç që kanë marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca”, shton Shapo.
Konkretisht për vaksinën kineze Coronavac mjeku shpjegon se studimet vazhdojnë por nuk ka asnjë të tillë ose rekomandim që Coronavac të përzihet me një vaksinë tjetër.
“Në këto kushte për mua do t’ia vlente një studim i shpejtë pilot serologjik i grupmoshave ku kjo vaksinë është aplikuar atje, për të parë ç’mbrojtje ka lënë,” përfundon Shapo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë