Ka ndodhur

Ekzekutimi i Taulant Beqirajt në Vlorë, dorëzohet në polici një nga autorët e dyshuar

Mesditën e të mërkurës është vetë dorëzuar në policinë e Vlorës, Skerdian Gabrani, një nga autorët e dyshuar të vrasjes së Taulant Beqirajt (Manaj).

Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në datën 3 mars të këtij viti, në rrugën “Transballkanike” në Vlorë. Gabrani, pas vrasjes ka qëndruar i fshehur në qytetin bregdetar. Ai është shoqëruar edhe nga avokati i tij mbrojtës.

Atentati ku mbeti i vrarë Taulant Beqiraj në Vlorë, dyshohet se ka ndodhur për shkak të një konflikti për rreth 20 mijë euro.

Viktima dyshohet se kishte një detyrim financiar, ndaj palës tjetër lidhur me shitjen e një automjeti tip “Benz-Mercedez”, për të cilin refuzonte të dorëzonte pagesën.

Në vendin e ngjarjes, viktimës iu sekuestrua në brez një armë zjarri pistoletë, të cilën nuk mundi ta përdorë dhe 4 aparate telefonike, që tashmë janë dërguar për ekspertim. Ndërkohë, Andi Jonuzi, një tjetër autor i dyshuar i vrasjes, i cili u arrestua ditën kur ndodhi ngjarja, është lënë në burg.

Ai akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e Taulant Manajt në Vlorë.

Dyshohet se ai ka pasur rolin e shoferit që ndihmoi 2 autorët e dyshuar, Skerdjan Gabranin dhe Elton Hajnajn të largoheshin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë