Politike

Nga PD te Doshi dhe Meta, Yuri Kim flet pas zgjedhjeve: SHBA të kënaqur me mënyrën si u zhvilluan

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka deklaruar se SHBA-të janë të kënaqura me mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.

Ambasadorja thotë se zyrtarët e ODIHR-it, kanë deklaruar se zgjedhjet ishin të rregullta, pavarësisht disa problemeve të cilat nuk cenuan procesin zgjedhor.

“Mendoj që ODIHR, që janë vërtet ekspertët për zgjedhjet, kanë nxjerrë gjetjet e tyre fillestare dhe ne i kemi mbajtur shënim. Për shembull, ata vërejnë që zgjedhjet ishin të rregullta dhe përgëzuan autoritetet për administrimin e zgjedhjeve shumë mirë. - u shpreh Kim gjatë emisionit “Opinion”. - Megjithatë, vërejtën edhe disa probleme dhe pritshmëria jonë, si SHBA, është që ato probleme do të trajtohen, por për pjesën më të madhe, siç e patë në deklaratën që nxorëm nga Uashingtoni, përgëzuam popullin shqiptar për zgjedhje të mira, uruam kryeministrin Rama për fitoren. Po ashtu, uruam edhe partinë e opozitës për zhvillimin e një fushate shumë të fortë. Prandaj, mendoj që në tërësi, jemi të kënaqur me mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet”,- tha ajo.

Ambasadorja tha se SHBA-të presin që në muajin shtator, Partia Demokratike të kthehet në Parlament, duke theksuar se vendi ka nevojë për një opozitë të plotë.

“Mendoj se gjithçka tjetër që mund të jenë duke thënë, po të shohësh deklaratat nga Lulzim Basha dhe kushdo tjetër në PD, bëjnë shumë të qartë që pavarësisht çfarëdo kundërshtimesh që kanë, do të jenë në Parlament në shtator. Dhe kjo është vërtet e rëndësishme”, - komenton Kim.

Sipas saj, kur zhvillohen zgjedhje, ka festim, por edhe zhgënjim, ndërsa nënvizon se SHBA-të duan një marrëdhënie të ngushtë me Shqipërinë.

“Dhe nuk ka rëndësi kush është në pushtet. Kemi punuar jashtëzakonisht mirë me cilindo ka qëlluar të jetë zgjedhur nga populli shqiptar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, - deklaroi numri një i selisë diplomatike amerikane në Tiranë.

Ambasadorja Kim, ka komentuar edhe largimin e Tom Doshit nga Parlamenti, pasi fitoi mandatin në Tiranë. Ajo u shpreh se pozicioni i SHBA-ve në këtë rast ka qenë i qartë, ndërsa pohoi se ambasada amerikane i ka dërguar informacione prokurorisë lidhur me rastin në fjalë.

Kim pranoi se largimin i tij nga Kuvendi ka qenë edhe rezultat i deklaratave dhe pozicionit të SHBA-ve. “Mendoj se një nga çështjet, është që, për këto raste përcaktimesh nga SHBA-të, një pjesë ose shumë, mund të bazohet në informacion të klasifikuar, të cilin nuk mundemi ta ndajmë me të tjerë”, - vijoi.

Kim ka komentuar edhe listat e kandidatëve për deputetë të partive për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Ambasadorja tha se këshilla e saj për mos të kandiduar persona me rekorde kriminale, u pranua pjesërisht nga partitë politike.

Kim deklaroi se disa persona u hoqën përpara hartimit të listave përfundimtare, megjithatë thekson ajo, disa persona të vendosur në listë, përbëjnë shqetësim, “pasi janë futur në zgjedhjet parlamentare në mënyrë të mistershme”.

Në lidhje me përplasjen e saj me presidentin Ilir Meta, Kim sqaroi se detyra e saj në Shqipëri, shpreh qartë qëndrimin e e SHBA-ve përmes kreut të shtetit, kryeministrit dhe ministrave.

 “E di që njerëzit duan të shohin pak drama dhe emocione, por ajo që do përsëris është se kur flas, e bëj në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe e bëjmë këtë seriozisht, kur arrijmë një qëndrim dhe detyra ime është të siguroj që qëndrimi ynë është sa më i qartë që mundet, - shpjegoi ambasadorja amerikane. - Përpiqemi ta bëjmë këtë shumë të qartë, së pari për Qeverinë Shqiptare dhe e bëjmë këtë nëpërmjet diskutimeve me zyrtarë të lartë, përfshi kryeministrin, presidentin, ministrat dhe përpiqemi ta bëjmë pozicionin e SHBA-ve sa më të qartë që mundet për popullin shqiptar. Këtë do të vazhdoj të bëj”.

Ndërsa për reagimin e saj në rrjetet sociale për presidentin Meta, Kim tha se ishte një reagim i konsultuar në Uashington dhe aspak personal.

“Absolutisht është diskutuar me Uashingtonin. Nuk është diçka personale. Mendoj se ka të drejtën (Meta) të ketë mendimet e tij, por edhe një herë, unë mund vetëm të bëj punën time, e cila është të shpreh pikëpamjet dhe të sqaroj pozicionin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, - shtoi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë