Rreth 96.42% e britanikëve që morën dozën e parë të vaksinës anti-Covid, AstraZeneca ose Pfizer, kanë zhvilluar antitrupa, një përqindje që praktikisht rritet në 100% me dozën e dytë.
Kjo u zbulua nga një studim i kryer në Angli dhe Uells në mbi 8,517 të vaksinuar, shkruan gazeta “The Guardian”. Sipas hulumtimit, 96.42% e atyre që morën dozën e parë të vaksinës, zhvilluan antitrupa pas 28-34 ditësh.
Përqindja rritet në 99.08% në 7-14 ditë pas dozës së dytë. Të dyja vaksinat, Astrazeneca dhe Pfizer, konsiderohen efikase në zhvillimin e përgjigjes imune kundër virusit, kanë përcaktuar studiuesit nga “University College London”.
“Është një nga studimet e para të botës reale të vaksinave në Mbretërinë e Bashkuar, – thotë Maddie Shrotri, një nga autoret e studimit. – Është një lajm fantastik. Nëntë, në dhjetë të rritur që, në Britani të Madhe kanë marrë vaksinën Pfizer ose AstraZeneca, kanë prodhuar antitrupa kundër Covid 19 brenda një muaji nga doza e parë”.
Sipas studimit, përqindja e antitrupave rritet më shpejt midis atyre që morën dozën e Pfizer BioNTech, por pas katër javësh, shkalla e antitrupave pozitivë është e njëjtë edhe për ata që morën dozën e AstraZeneca-s.
Dallime të vogla, me nivele më të ulëta të antitrupave, u vunë re tek të moshuarit dhe tek njerëzit me probleme të mëparshme shëndetësore. Por këto ndryshime zhduken me dozën e dytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje