Specialistët e sëmundjeve infektive po punojnë për të siguruar njerëzit që ata të vaksinohen edhe pse ka pasur njerëz që thonë se nëse nuk përjetojnë efekte anësore pas vaksinimit, nuk janë imunizuar. Lodhja, ethet dhe simptomat e tjera në ditët pas vaksinimit janë prova se vaksina po jep efektin e dëshiruar në sistemin imunitar të trupit. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë thonë në faqet e tyre të internetit që efektet anësore nënkuptojnë që trupi po “ndërton mbrojtje” kundër koronavirusit. Ky mesazh mund të bëjë që disa njerëz të mendojnë se mungesa e efekteve anësore tregon se trupi nuk po krijon imunitet. Megjithatë, mjekët e sëmundjeve infektive thonë se shumica e njerëzve marrin mbrojtje nga vaksinat, edhe nëse nuk përjetojnë efekte anësore.
“Unë nuk mendoj se dikush duhet të ndërlidhë shkallën e reagimeve të tyre ndaj vaksinës me mbrojtjen nga infeksioni. Ne e dimë që njerëzit që nuk i përgjigjen një vaksine në lidhje me efektet anësore janë ende të mbrojtur mirë. Vaksinat funksionojnë edhe nëse nuk keni lodhje dhe dhimbje koke dhe ethe dhe dhimbje të muskujve dhe dhimbje të kyçeve,” tha Cody Meissner, shefi i sektorit të sëmundjeve infektive pediatrike në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Tufts në Boston.
Ekspertët thonë se nevojiten më shumë kërkime për të përcaktuar se cilat efekte anësore të vaksinës, ose mungesa e tyre, na tregojnë për forcën e përgjigjeve imune të njerëzve.
“Ka kaq shumë nuanca sa i përket mënyrës se si reagoni”, tha Kathryn Edëards, tha një studiuese e vaksinave në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Vanderbilt në Nashville, Tenn.
Edwards tha se ekziston një bazë biologjike për t’u thënë njerëzve “është mirë të ndiheni keq” sepse efektet anësore mund të jenë një shenjë e një përgjigje imune.

Vaksinat kundër sëmundjeve të tjera kanë qenë të njohura se shkaktonin efekte anësore, sepse përgjigja imune krijohet në këtë mënyrë. Një studim i vogël i kryer kohët e fundit nga shkencëtarët në Universitetin e Pensilvanisë zbuloi se njerëzit që kishin efekte anësore pasi morën vaksinat kishin nivele pak më të larta të antitrupave sesa ata që kishin efekte anësore më të lehta ose aspak. “Megjithatë, të gjithë njerëzit që marrin vaksinën në studim kishin përgjigje të mira imune,” tha bashkë autori i studimit E. John Wherry, drejtor i Institutit Penn për Imunologji. Vaksinat Pfizer dhe Moderna përdorin teknologji të bazuar në ARN dhe mund të shkaktojnë efekte anësore të ngjashme. Duke filluar nga dhimbja në vendin e injeksionit, lodhja, dhimbja e kokës, dhimbja e muskujve, dhimbja e kyçeve dhe etheve, këto zakonisht ndodhin brenda një dite të vaksinimit dhe zgjidhen brenda dy ditësh. Efektet anësore shpesh mund të menaxhohen duke marrë acetaminofen ose një tjetër qetësues dhimbjesh. Një zëdhënëse e Pfizer tha se efektet anësore nuk tregojnë nivelin e imunitetit të dhënë nga vaksina e saj. Ndërsa për sa i përket vaksinës Moderna, një studim ka cilësuar se shumica e personave që kanë marrë këtë vaksinë, kanë pasur si efekt anësor vetëm dhimbjen në vendin e injeksionit. Të dhënat kanë treguar se njerëzit mbi moshën 65 vjeç kanë më pak gjasa se sa të rinjtë të përjetojnë efekte anësore. Të rriturit e moshuar kanë tendencë të kenë përgjigje më pak të fuqishme imune ndaj vaksinave. Administrata e Ushqimit dhe Barnave(FDA) thotë se mosha, seksi dhe shëndeti i përgjithshëm ka të ngjarë të ndikojnë në shfaqjen dhe ashpërsinë e efekteve anësore të zakonshme në dy ditët e para pas vaksinimit. Disa mjekë thonë se mund të ndikojë edhe gjenetika gjithashtu.
“Unë jam i sigurt që gjenet tona në një farë niveli përcaktojnë ndryshimet në këto përgjigje”, tha Paul Offit, drejtori i qendrës së edukimit të vaksinave në Spitalin e Fëmijëve të Filadelfias, për nivele të ndryshme të simptomave pas vaksinimit.
Për disa që marrin vaksinat e ARN-së, efektet anësore janë më të theksuara pas dozës së dytë, duke e bërë të vështirë për njerëzit të punojnë ose të jenë aktiv.
Burimi: The Wall Street Journal/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje