Ka ndodhur

Hetimet për zgjedhjet, kryeprokurori Çela: Shpejt do të kemi rezultate

Nga Fieri, ku ndodhej për një takim me prokurorë të këtij qyteti, Olsian Çela ka përsëritur se duhen rezultate dhe transparencë në raport me hetimet sa i takon krimeve zgjedhore.

Prokurori i Përgjithshëm ka deklaruar se është shumë e rëndësishme që të ketë një hetim të shpejtë. “Është e rëndësishme që nga prokuroritë të tregohet kujdes maksimal për hetimin e tyre të plotë dhe të shpejtë dhe për të siguruar transparencë në raport me hetimet ndaj publikut dhe medias, – tha ai.

Sipas tij, në Fier ka pasur një numër të konsiderueshëm të çështjeve që janë hetuar apo për të cilat është marrë tashmë një vendim.

“Prokuroria e Fierit është duke i vlerësuar maksimalisht, të paktën nga informacioni që ata dhanë dhe bashkëpunimi ka qenë edhe me institucionet e tjera ligjzbatuese. Shumë shpejt do të kemi rezultate”. Një tjetër çështje për të cilat ka diskutuar Çela, ka qenë edhe ajo për hetimet pasurore.

“Arsyeja e dytë ka të bëjë më hetimet pasurore dhe evazionin fiskal, funksionimi i një seksioni të posaçëm që Prokuroria e Fierit ka për pastrimin e produkteve të veprës penale dhe evazionit fiskal, për rritje të efikasitetit për evazionin dhe ligjin anti-mafia. Janë të rëndësishme rezultatet në këtë drejtim, pasi ka shumë kërkesa nga ndërkombëtarët për luftën ndaj pastrimit të parave, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, vijoi kryeprokurori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë