Qeveria pritet të bëjë disa ndryshime në ligjin për deklarimin e pronarëve përfitues, “Për përcaktimin e mënyrës dhe procedurave të regjistrimit dhe publikimit të të dhënave për pronarët përfitues, si dhe të njoftimit nga autoritetet shtetërore kompetente dhe nga subjektet e detyruara”.
Sipas ndryshimeve që pritet të miratohen në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, parashikohet zgjatja e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve me origjinë të huaj deri në 90 ditë (nga 1 muaj që parashikon ligji aktual).
Fillimisht afati për deklarimin e pronarëve përfitues ishte 31 marsi dhe më pas u shty deri më 31 qershor.
Projektligji për ndryshimin është bërë pas ankesave të shumta nga shoqatat e biznesit, sipas të cilave një subjekt i huaj e ka të vështirë të shkojë në vendin e origjinës të apostilojë, të përkthejë zyrtarisht në gjuhën shqipe dhe të noterizojë dokumentat në një afat kaq të shkurtër.
Ligji për deklarimin e pronarëve përfitues është detyrim i Mekanizmit Europian Moneyval që synon të luftojë pastrimin e parave.
Pronar përfitues, sipas ligjit, është individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit, përmes pronësisë direkte ose indirekte të 25% ose më tepër, të: aksioneve/kuotave; pjesëmarrjes në kapitalin e subjektit; të drejtave të votimit; ose përfiton nga transaksionet e kryera nga subjekti në emër të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.