Politike

Vendet e G7 hedhin poshtë ndryshimin e kufijve: Sa më parë negociatat me Tiranën dhe Shkupin

Ministrat e Jashtëm shtatë shteteve më të zhvilluara në botë kanë bërë thirrje për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si dhe arritjen sa më parë të në marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë .

Pas një takimi në Londër, ministrat e Jashtëm të G7-ës dolën me një deklaratë të përbashkët mbi Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se integrimi i rajonit është përparësi dhe se është një investim thelbësor për stabilitetin e Europës.

Vendet e G7 kanë reaguar po ashtu mbi dokumentet e fundit që propozojnë ndryshimin e kufijve në Ballkanin, duke hedhur idenë e bashkimit e Kosovës me Shqipërinë, Republikës Srpska me Serbinë dhe disa pjesë të Bosnjës me Kroacinë. Sipas ministrave të shtatë fuqive botërore, këto nisma janë kërcënim për rajonin.

“Spekulimet e pajustifikuara rreth ndryshimeve të kufijve përgjatë vijave etnike nuk janë zgjidhje për sfidat me të cilat përballet rajoni. Ndryshime të tilla do të përbëjnë një kërcënim për sigurinë rajonale. Ne e hedhim poshtë vendosmërisht çdo përpjekje për të minuar integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës”, thekson deklarata.

Po ashtu shtatë vendet e G7 u kanë kërkuar vendeve të rajonit të vazhdonin reformat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ne theksojmë rëndësinë e avancimit të reformave të nevojshme të brendshme, veçanërisht në sundimin e ligjit, duke përfshirë trajtimin e krimit të organizuar, financave të paligjshme dhe korrupsionit, me veprime të ashpra të ndërmarra kundër çështjeve më të ashpra. Prandaj, ne mbështesim hapjen zyrtare të negociatave të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne mbështesim progresin e mëtejshëm në bashkëpunimin rajonal veçanërisht përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe Procesit të Berlinit”, theksonte deklarata e shtatë ministrave të Jashtëm.

Shtetet e G7-shes thanë se presin arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese.

"Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog me ndihmën e BE-së për të normalizuar plotësisht marrëdhëniet e tyre përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, që do të kontribuonte në stabilitetin rajonal", thuhet në deklaratë të përbashkët të përfaqësuesve të G7.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë