Ka ndodhur

I grabitën 3 mln lekë punonjësit të një pike valute, kapet një nga autorët

Dy ditë pas grabitjes së punonjësit që transportonte para për një pikë të këmbimit të parave në Tiranë, policia ka arrestuar një nga autorët e dyshuar.

Në pranga ka rënë Roni Spaho 22 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje. Policia tha se ka sekuestruar edhe shumën e parave të vjedhura nga këta 3 shtetas, 30 milionë lekë të vjetra.

Gjithashtu u shpallën në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij të dyshuar, M. Gj., 26 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe M.B.(B)., 26 vjeç, i dënuar më parë për plagosje të rëndë.

Ngjarja ndodhi më datë 4 maj në rrugën “Mihal Duri” në kryeqytet, ku 3 shtetas i vodhën me dhunë sasinë e parave që kishte me vete punonjësit të një pike valute.

Policia thotë se Spaho dyshohet se ka ndihmuar dy personat e tjerë duke i informuar për lëvizjet e punonjësit të pikës valutore.

Autorët e kanë ndjekur 60-vjeçarin dhe në një moment e kanë kapur në befasi, duke e qëlluar me sende të forta në kokë. Më pas ata kanë arritur t’i marrin shumë e parave, duke u larguar në drejtim të paditur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë