Ka ndodhur

Arrestohet polici 62-vjeçar, tentoi të kryejë marrëdhënie seksuale me të miturën

Një punonjë policie, me detyrë ndihmës-specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Lezhë, është vënë në pranga nga kolegët e tij.

Burimet zyrtare thonë se ai dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur.

Bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur në datën 29 prill të këtij viti. Nga hetimet paraprake, rezulton se punonjësi i policisë, me iniciale K.K., 62 vjeç, ka shfrytëzuar rastin që e mitura ka qenë e pashoqëruar nga persona madhorë.

Duke keqpërdorur atributet që i jep detyra funksionale, nëpërmjet mashtrimit se do ta shoqëronte në Komisariatin e Policisë, ai e ka marrë të miturën në një banesë në qytetin e Lezhës, që e kishte në përdorim. Aty dyshohet se 62-vjeçari ka kryer veprime të turpshme, duke tentuar gjithashtu të kryejë marrëdhënie seksuale.

Mësohet se e mitura ka kundërshtuar policin dhe është larguar me forcë nga banesa.

E gjithë ajo që ka ndodhur është dokumentuar edhe me prova filmike, dhe punonjësi i policisë thuhet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Ngacmim seksual”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë