Tensionet ndërkombëtare mbi aksesin në vaksinat Covid-19 janë intensifikuar ndërsa ngërçi me furnizimet po prish shpërndarjen masive të vaksinave. Ndërkaq ekspertët e tregtisë në botë paralajmërojnë se kufizimet në eksportet e vaksinave rrezikojnë të përkeqësojnë situatën. Kjo sepse prodhuesit kryesorë të vaksinave në botë mbështeten tek njëri-tjetri për përbërësit thelbësorë për të prodhuar vaksinat përmes një rrjeti zinxhirësh furnizimi ndërkufitar në kimikate komplekse, acide yndyrore dhe shishka qelqi. Sipas tyre nëse qeveritë kufizojnë eksportet e vaksinave, kjo përkthehet më pak jetë të mbrojtura atëherë kur nevoja është më e madhe. Këto zinxhirë furnizimi shtrihen në të gjithë botën, duke tërhequr prodhues të kimikateve themelore që ofrojnë përbërës kritikë, si dhe kompani farmaceutike që bëjnë vaksinat.
Të dhënat e mbledhura nga Airfinity Ltd., një kompani e të dhënave për shkencën dhe kujdesin shëndetësor, tregojnë se pesë anëtarë të klubit përbënin 95% të të gjitha dozave Covid-19 të prodhuara në botë deri në Mars. Vendet që prodhojnë vaksina marrin mesatarisht 88.3% të përbërësve të importuar të përdorur në prodhimin e vaksinave, sipas ekonomistëve të udhëhequr nga Simon Evenett,një profesor i tregtisë ndërkombëtare dhe zhvillimit ekonomik në Universitetin e St. Gallen në Zvicra, të cilët kanë hartuar flukset tregtare midis prodhuesve kryesorë të vaksinave në botë.
“Kufizimi i eksporteve të vaksinave në një prodhues tjetër të madh do të rrezikonte veprime hakmarrëse që mund të shkatërrojnë prodhimin, duke kërcënuar vaksinat masive që janë çelësi për t’i dhënë fund pandemisë,” tha Evenett.

Sipas ekspertëve kjo marrëdhënie është e ndërlidhur dhe prodhuesit varen nga njëri tjetri. Për shembull prodhuesit e produkteve varen nga prodhuesit e vaksinës dhe anasjelltas dhe përgjithësisht këta prodhues janë në shtete të ndryshme. Vendet që janë më pak të varura nga përbërës të ndryshëm janë India dhe Kina të cilat marrin një përqindje më të vogël, edhe pse ende të konsiderueshme, të importit të përbërësve të tyre nga prodhuesit e tjerë të mëdhenj. Evenett shpjegon se deri më tani, frenimet sporadike në eksportet e vaksinave nga vendet duke përfshirë Indinë dhe vendet anëtare të BE nuk kanë çuar në një konflikt të gjithanshëm.
“Analiza jonë ka konstatuar se tashmë prodhimi i vaksinave është i rrezikuar nga politikat dhe vonesat e dërgesave ndërkufitare. Nëse vaksinat e Covid-19 shpërndahen në mënyrë të barabartë në të gjithë botën pa marrë parasysh nacionalizmin tek vaksinat atëherë do të kemi mundësinë të shpëtojmë njerëzit,” shtoi ai.
Raporti nga Airfinity tregon që përçarja mund të vonojë vaksinimin në Afrikë dhe pjesë të Azisë me muaj të tërë. Epidemiologët dhe ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se boshllëqet në mbulimin e vaksinimit në të gjithë botën do t’i japin virusit një shans për të mbijetuar dhe për t’u ndryshuar, duke çuar potencialisht në valë të tjera më të këqija.
Ekspertët e tregtisë thonë se mënyra më e mirë për të lehtësuar tensionet do të ishte rritja e prodhimit të vaksinave. Prodhimi global i vaksinave duhet të përshpejtohet. Megjithatë, të dhënat e mbledhura nga Unicef tregojnë se kapaciteti i prodhimit për vaksinat e aprovuara pritet të rritet me 7.9 miliardë doza në gjysmën e dytë të vitit. Prodhuesit po presin të prodhojnë pothuajse 19 miliardë doza në vitin 2022. Kjo, në teori, do të ishte e mjaftueshme për të vaksinuar të gjithë njerëzit në planet, por objektivat e prodhimit nuk janë përmbushur gjithmonë.
Burimi:The Wall Street Journal/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje