Me përfundimin e fushatës zgjedhore dhe shkeljen e masave të parandalimit të përhapjes së infeksionit nga të gjitha forcat politike, autoritetet shëndetësore paralajmërojnë shtim të rasteve të reja me Covid.
“Tubimet dhe grumbullimet më të mëdha u bënë ditët e fundit dhe duhen 2-3 javë për të parë se sa do te jetë rritja. Kuptohet që do të ketë një rritje fiziologjike më të vogël se herët e tjera, por mosrespektimi i masave po e tregon më së miri këtë”, deklaroi kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.
Brataj qorton të gjitha forcat politike për shpërfilljen e masave anti-Covid në fushatë.
“Këtë muaj pati shkelje nga të gjitha palët, nga të gjitha format gjë që do të vërtetohet ditët në vijim. Ne specialistët nuk mund të bëjmë më shumë se sa të këshillojmë dhe të informojmë se në këto situata rrezikojmë shëndetin tonë”, shprehet ai.
Megjithatë, Brataj qetëson duke deklaruar se vala e pritshme nuk do të jetë më agresive se dy valët e para që ka kaluar vendi dhe këtë e lidh me procesin e vaksinimit dhe me perceptimin se një pjesë e madhe e qytetarëve mund ta kenë kaluar virusin.
“Një numër i konsiderueshëm e kanë kaluar koronavirusin dhe për disa kategori po vijon vaksinimi për imunizimi artificial”, deklaroi ai.
Kreu i urgjencës tha se në Shqipëri ende nuk ka të dhëna për praninë, agresivitetin dhe transmetueshmërinë e mutacionit indian të Covid, që është konfirmuar tashmë në Itali dhe Greqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje