Janë të shumtë talentet shqiptarë që në vitet e fundit po shkëlqejnë në futbollin ndërkombëtar. Më i fundit që është bërë pjesë e skuadrës kampione të Anglisë, Manchester City quhet Arijanet Muriç. Ai është vetëm 19 vjeç, por është përzgjedhur nga trajneri Pep Guardiola për të qenë portieri i dytë i kampionëve anglez, duke qenë kështu rezerva e një prej portierëve më të mirë të momentit, Ederson Moraes. Muriç deri para disa muajsh ishte pjesë e skuadrës U-21 të Malit të Zi, por vetëm pak ditë më parë ai ka zgjedhur që të kalojë në skuadrën e Kosovës. Në një prononcimin për Gazeta Si, Muriç ka deklaruar se kishte qenë në kontakte me federatën kosovare të futbollit që prej një viti dhe se gjithmonë kishte dashur të përfaqësonte shqiptarët.

“Me përfaqësuesen e Kosovës ka që 1 vit që kemi qenë në bisedime. Tashmë që çdo gjë u bë e mundur ndihem shumë krenar që do të përfaqësojë Kosovën. Unë jam shqiptar dhe doja të luaja në një përfaqësuese ku mund të përfaqësoja shqiptarët. Kam pasur kontakte me njerëz nga federata e Kosovës edhe me të ndjerin Fadil Vokrri, por edhe me të tjerë drejtues si Bajram Shala Eroll Salihu, por edhe me trajnerin, Bernard Challandes”, është shprehur portieri 19-vjeçar.

Sakaq kur pyetet për ndonjë komunikim apo ftesë nga Federata Shqiptare e Futbollit, gardiani i Manchester City deklaron se nuk ka komunikuar asnjëherë. “Nga kombëtarja e Shqipërisë nuk ka pasur asnjëherë interesim konkret për mua nuk pasur asnjëherë diçka serioze.”
Më tej duke folur për aventurën në skuadrën e parë të kampionëve të Anglisë, Muriç shprehet shumë i emocionuar që është pjesë e një skuadre kaq të madhe dhe se do të jetë zëvendësuesei i Ederson. Më tej në prononcimin e tij, portieri i ri ka treguar për raportin me trajnerin spanjoll Guardiola dhe për këshillat që ky i fundit i jep vazhdimisht.

“Për mua është një privilegj të jem portieri Man. City dhe ndihem shumë krenar për këtë gjë. Ederson është portier i madh, por unë jam duke e pritur momentin që të tregoj edhe unë vlerat e mia. Me Guardiolen kam biseduar dhe ai pret shumë dhe njëkohësisht beson shumë tek cilësitë e mia. Për të ardhmen me jep këshilla që të vazhdojë të punoj.”- shprehet 19-vjeçari.
Arijanet Muriç është 1.98 metra i gjatë dhe nga specialistët ndërkombëtarë është cilësuar si një nga talentet më premtues në 10 vitet e ardhshme sa i përket portierëve. Ai vitin e fundit ishte i huazuar te Nac Breda në kampionatin holandez, por nga Guardiola dhe ndihmësit e tij u vendos që talenti 19-vjeçar këtë vit të luaj me ekipin e parë të kampionëve të Premier League.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




