Ngjarje

Parregullsi gjatë procesit, kryeprokurori Çela kërkon hetim të krimeve zgjedhore

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka kërkuar hetim të krimeve të mundshme zgjedhore, duke iu kërkuar vartësve të tij që të intensifikojnë hetimet.

Kërkesa e Çelës, vjen pas akuzave dhe denoncimeve që PD dhe opozita kanë bërë ditët e fundit, duke pretenduar parregullsi në procesin zgjedhor.

Dy ditë më parë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njoftoi se është duke vazhduar ndjekjen penale për rastet që lidhen me veprat penale në fushën e zgjedhjeve, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”.

Hetimi për parregullsitë në procesin zgjedhor, është kërkuar edhe nga ndërkombëtarët. Një ditë më parë, ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman, kërkoi  nga institucionet shqiptare të hetojnë të gjitha parregullsitë e pretenduara në lidhje me procesin.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, i kanë kërkuar po ashtu KQZ-së pamjet filmike të kamerave të qendrave të votimit në rang vendi, me pretendimin se procesi zgjedhor i 25 prillit ka qenë i manipuluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë