Për herë të parë pas shumë vitesh, Shqipëria ka shënuar një kthim mbrapa në raportin e organizatës ndërkombëtare Freedom House për demokracinë. Raporti arrin në përfundimin se në përgjithësi viti 2020 nuk ka qenë i miri për reformat demokratike, dhe në shumë vende ku ka pasur shpresë për ndryshim, mundësia është hedhur poshtë.
Në raportin e sivjetshëm të organizatës ndërkombëtare Freedom Hourse të titulluar, Kombet në Tranzicion 2021: Kthesa antidemokratike, theksohet se liderët e zgjedhur në Europë dhe Ballkan janë duke dëmtuar edhe institucionet që i kanë sjellë në pushtet, duke refuzuar normat demokratike dhe duke promovuar sisteme alternative të qeverisjes autoritare.
Sipas tij, në Europë dhe Euroazi ka më pak demokraci sesa para nisjes së hartimit të këtij raporti 26 vjet më parë. Nga 29 vendet e analizuara, 10 janë cilësuar demokratike, 10 hibride dhe nëntë autoritare. Asnjë shtet nuk ka ndryshuar kategorinë këtë vit. Rënia më e madhe është parë në Poloni dhe Hungari.
Çfarë ka ndodhur me Shqipërinë?
Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti, Shqipëria nga 3.82 pikë që kishte një vit më herët, këtë radhë kishte 3.75 pikë.
Shqipëria që edhe këtë vit është në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, shënoi rënie në shoqërinë civile dhe median e pavarur
“Ajo që vërehet është që nota e përgjithshme e Shqipërisë, është në nivelin e notës që Shqipëria ka marrë në vitin 2013. Pra demokracia në Shqipëri është në të njëjtat nivele që Shqipëria ka pasur në vitin 2013, sipas së njëjtit raport të Freedom House”, thotë Gjergji Vurmo, drejtor programi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë, autori i kapitullit për Shqipërinë në raportin “Vendet në Tranzicion”.

Vlerësimi për shoqërinë civile ra nga 5 në 4.75 pikë.
“Ulja e notës i dedikohet një sërë akteve të cilat kanë kufizuar hapësirën në të cilën operon shoqëria civile, hapësirën e aksionit të shoqërisë civile me një sërë kufizimesh përsa i takon së drejtës së tubimit, madje edhe së drejtës për shprehje”, thotë zoti Gjurmo.
Më konkretisht rënia i atribuohet dhunës mes protestuesve dhe forcave të rendit në maj, gjatë acarimeve për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe për shkak të vrasjes së të riut Klodian Rasha nga forcat e policisë për shkak të thyerjes së kufizimeve të Covid-it.
Vlerësimi për gjendjen e pavarësisë së medias ra nga 3.75 në 3.50.
“Ka pasur edhe një përkeqësim në dimensionin e lirisë së medias, e cila për të disatin vit ka shënuar disa zhvillime shumë negative, por mesa duket vitin që shkoi, këto zhvillime u ndikuan edhe nga pandemia, edhe nga kufizime të tjera, por edhe nga hyrja në fuqi pjesërisht e paketës antishpifje, njëri prej dy ligjeve i cili hyri në fuqi, pavarësisht se nuk është materializuar konkretisht”, thotë zoti Vurmo, duke shtuar se ka pasur raste që gazetarët janë proceduar edhe penalisht, mbi baza të përhapjes së panikut.
“Ambienti i medias shqiptare, i cili ka qenë prej kohësh i dobësuar nga kontrolli oligarkik ashtu si në pjesën më të madhe të rajonit, është prekur gjithashtu nga përdorimi i shtuar i proceseve gjyqësore strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut”, thuhet në raport.
Përveç rënies në kategoritë e qeverisjes demokratike dhe procesit zgjedhor, dy treguesit me vlerësimin më të ulët janë korrupsioni dhe pavarësia e gjyqësorit: respektivisht 3.25 dhe 2.75, i njëjti nivel si një vit më parë.
Raporti vë në dukje situatën e acaruar politike, korrupsionin dhe presionin e bizneseve ndaj qeverisë si probleme të vazhdueshme.
Por aty vlerësohen edhe hapat drejt reformës në drejtësi, megjithëse thuhet se ishin të ngadalta.
“Ne kemi evidentuar edhe zhvillime mjaft pozitive si ngritja e strukturave të reja të drejtësisë, apo edhe zhvillime të tjera në kuadër të disa dimensioneve, siç është edhe dimensioni i qeverisjes kombëtare”, thotë zoti Vurmo.
Raporti në kontekstin e kristalizimit të rezultatit të zgjedhjeve në Shqipëri
Publikimi i raportit të këtij viti përkon me një kohë kur është bërë e qartë që Partia Socialiste në Shqipëri do të qeverisë edhe për një mandat tjetër.
“Shumica aktuale ka bërë histori në këtë kuptim, ka marrë një mandat të tretë, madje ka marrë të dytin mandat radhazi, që nuk ka ndodhur më parë në historinë pluraliste të Shqipërisë, si parti e vetme”, thotë zoti Vurmo.
Vlerësimi për ecurinë e tyre do të analizohet në raportet e ardhshme të Freedom House. Zoti Vurmo sheh si sfidë prirjet e përvijuaja qartë të forcimit të autoritarizmit që kërcënojnë haptazi dhe shumë seriozisht demokracinë shqiptare, institucionet dhe proceset demokratike dhe vetë shoqërinë shqiptare.
“Unë do të bëja thirrje për të gjithë aktorët politikë, por jo vetëm politikë, por edhe aktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare që ta lexojnë me vëmendje këtë raport, pasi është vërtet një kambanë alarmi për rreziqet që paraqesin disa zhvillime në disa fusha të raportit, për demokracinë në Shqipëri, po aq sa edhe për ofertën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe procese të tjera reformuese”, thotë ai.
Është një moment, thotë zoti Vurmo, që Shqipëria mund ta shfrytëzojë në maksimum.
“Që të futet në një cikël normal të sistemit politik, ku bashkëqeverisjet në një fare mënyrë, në kuptimin që edhe opozita është pjesë shumë e rëndësishme e qeverisjes, pavarësisht se është maxhoranca ajo që drejton ekzekutivin. Por nga ana tjetër qeverisja në parlament parasheh edhe një rol thelbësor të opozitës parlamentare, po ashtu siç parasheh edhe një rol të theksuar të institucioneve të pavarura, të institucioneve që bëjnë kontrollin e pushteteve të tjera”, thotë ai.

Po Kosova?
Rënie në nivelin e demokracisë ka pësuar edhe Kosova, me 3.14 pikë, në krahasim me 3.18 vitin e kaluar. Sa u përket vendeve të rajonit, Mali i Zi dhe Serbia, kanë shënuar rënie po ashtu, derisa Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina kanë shënuar përparim. Raporti thotë se ndonëse në Kosovë dhe në Mal të Zi ka pasur transferime të rëndësishme të pushtetit, ende nuk është e qartë nëse ndryshimet do të ndikojnë në përmirësim të institucioneve demokratike.
Raporti përmend edhe rritjen e shkallës së daljes në zgjedhje në Kosovë përkatësisht 3.4 për qind më shumë më 2019 dhe 7.7 për qind më 2021, në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
“Ndonëse fitorja e Partisë Vetëvendosje përbën shkëputje të mirëfilltë nga status quo-ja, mbështetja që ka kjo parti për bashkim me Shqipërinë, mund të trazojë gjithë rajonin”, kanë thënë hartuesit e raportit.
Përveç Kosovës, dalje më e lartë në zgjedhje është regjistruar edhe në Mal të Zi, mirëpo e kundërta ka ndodhur në Kroaci, Maqedoni të Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë. Në raport përmendet edhe se ndonëse Kosova ka vite që përfshihet në mesin e vendeve me regjime hibride, Hungaria, Mali i Zi dhe Serbia janë së fundmi klasifikuar si të tilla.
Përpiluesit e raportit kanë përmendur Kosovën bashkë me Malin e Zi, Moldavinë dhe Sllovakinë, kur kanë qenë në pyetje shifrat e dobëta sa i përket vlerësimeve për korrupsion.
Në mesin e liderëve, të cilët besohet se janë kthyer drejt formave antidemokratike të qeverisjes është përmendur kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili është thënë se zbaton një model të shtypjes së mediave të pavarura, i cili është përhapur edhe në Poloni dhe Serbi.
“Ulja e shkallës së demokracisë në Evropë dhe Euroazi është shumë shqetësuese, sidomos kur kemi parasysh se janë bërë 15 vjet prej përkeqësimit të demokracisë në nivel global’, Zselyke Csaky, drejtore për Evropën dhe Euroazinë në Freedom House.
“Autoritarizmi nuk është problem i pastër kombëtar, dhe ai mund të përhapet për të infektuar gjithë rajonin, apo edhe kontinentin. Demokracitë evropiane dhe grupet e shoqërisë civile duhet të koordinohen në mbështetje të lëvizjeve pro-demokratike në shtetet ku autoritarizmi është duke krijuar rrënjë. Ndryshimi duhet të vijë nga brenda, mirëpo për t’iu dhënë mundësi përpjekjeve për ndalje të valës antidemokratike, demokracitë evropiane dhe partnerët e tyre duhet të kapërcejnë gënjeshtrën se autokracia është alternativë e vlefshme ndaj demokracisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




