Vende dhe Udhetime

Çernobili 35 vjet më pas, Ukraina kërkon ta shndërrojë zonën në një atraksion turistik

Tridhjetë e pesë vjet pas katastrofës, zona eskluzive përreth termocentralit bërthamor të Çernobilit, që shpërtheu në 26 prill 1986, është ende e mbyllur, pasi rreziku i ndotjes bërthamore është gjithmonë i pranishëm.

Por autoritetet ukrainase, janë gjithnjë e më të vendosura për ta kthyer atë makth në një burim kulturor, turistik dhe mbi të gjitha ekonomik. Aq sa ata po punojnë për të qenë në gjendje të kërkojnë përfshirjen e Çernobilit midis zonave të deklaruara nga UNESCO, si një Trashëgimi Botërore. Ashtu si Dolomitet.

Do të dukej një ide e çuditshme, po të mos ishte përkushtimi absolut i të gjithë udhëheqësve të vendit, duke filluar nga presidenti Zelensky, i bindur se zona eskluzive mund të bëhej një tërheqje e madhe.

Kur u përurua “sarkofagu” i ri i ndërtuar për të mbuluar reaktorin e katërt, që 35 vjet më parë dërgoi në qiell sasi të mëdha elementesh radioaktive, Zelenski ishte entuziast: “Është koha të ndalojmë së frikësuari njerëzit, është e nevojshme të shndërrohet vendi në një magnet shkencor dhe turistik. Këtu do të krijojmë tokën e lirë, e cila do të bëhet një nga simbolet e Ukrainës së re”.

Zona, me një rreze prej tridhjetë kilometrash rreth uzinës, është zyrtarisht e pabanuar, megjithëse disa qindra banorë të vjetër vazhdojnë të jetojnë në pyje. Mbetjet e disa fshatrave dhe qyteteve janë pjesë e zonës eskluzive, duke përfshirë Prypiat dhe një radar kolosal ushtarak.

Për pesë vjet, Ukraina ka krijuar një rezervat natyror, hapi i parë për të filluar praktikën përpara UNESCO-s. Në këtë zonë, falë evakuimit të banorëve, kafshët janë shtuar vitet e fundit, duke përfshirë arinj, ujq dhe një racë kuajsh në rrezik zhdukjeje, që janë futur në pyjet përreth zonës.

Tani po mendohet edhe për bizonët e rrallë evropianë. Falë suksesit të serialit televiziv mbi pasojat e katastrofës së vitit 1986, numri i turistëve të pranuar në zonë për vizita të organizuara zyrtarisht me kohëzgjatje të shkurtër, është shumëfishuar, pikërisht për shkak të rreziqeve që lidhen me ndotjen.

Agjencitë turistike, gjithashtu organizojnë fluturime mbi stacionin elektrik dhe mbi Prypiat. Në vitin 2019, i fundit para Covid 19, kishte 120,000 vizitorë.

Disa shtigje janë trajtuar pikërisht për të lejuar kalimin e turistëve, por pjesa tjetër e tokës, pemët dhe të gjitha bimët, janë akoma të rrezikshme dhe do të jenë për një kohë shumë të gjatë, me emisione të ceziumit, stronciumit, plutoniumit dhe substancave të tjera.

Fëmijët nën moshën 18 vjeç, janë të përjashtuar nga vizitat, pikërisht, sepse ata janë më të ekspozuar ndaj rrezikut që vjen nga rrezatimi. Zona përdoret gjithashtu për të ruajtur karburantin e harxhuar nga katër centrale bërthamore ukrainase në funksion.

Përveç kësaj, vitin e kaluar, një zjarr shumë i fuqishëm që goditi më shumë se njëmbëdhjetë mijë hektarë pyje, lëshoi ​​grimca ceziumi në të gjithë zonën, duke bërë që radioaktiviteti të ngrihej deri në 16 herë më i lartë se ai natyror.

Me pak fjalë, jo në të vërtetë një parajsë turistike, pavarësisht shpresave të Kievit.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë