India regjistroi për të tretën ditë radhazi më shumë se 340 mijë raste me Covid-19 brenda 12 orëve, duke thyer çdo rekord botëror që nga fillimi i pandemisë. Pacientët po ndërrojnë jetë jo vetëm për shkak të sëmundjes, por edhe mungesës së oksigjenit që ka paralizuar spitalet indiane. Një ditë më parë vendi aziatik regjistroi 3 mijë viktima, ndërkohë që javën e fundit është përballur me një rritje prej 89% të vdekjeve nga Covid-19 në Indi. Kërkesa për oksigjen është rritur më shumë se 20% në shkallë vendi në ditët e fundit. Në kryeqytetin e Delhi, shumica e spitaleve po përballen me mungesa akute oksigjenit, pasi furnizimi mbaron duke rrezikuar qindra jetë njerëzish. Të shtunën, 20 pacientë vdiqën në spitalin Jaipur Golden në Delhi për shkak të mungesës së oksigjenit.
Shkaku i kësaj situate alarmante është një variant i ri, i cilësuar tanimë si mutacioni indian, ku edhe është shfaqur për herë të parë, duke treguar se është më i rrezikshëm se ai britanik, afrikano-jugor apo brazilian.
Mostrat e testimit nuk janë përhapur mjaftueshëm në Indi, për të vlerësuar sa shumë apo sa shpejt është përhapur virusi.
Ai është identifikuar në 220 nga 361 mostra të marra në periudhën janar – mars në shtetin perëndimor indian Maharashtra. Ndërkohë, ai është vërejtur edhe në të paktën 21 shtete tjera. Udhëtimet ndërkombëtare është thënë të kenë dërguar variantin e ri edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku janë identifikuar 103 raste prej 22 shkurtit. Shumica e udhëtimeve nga India tani janë ndaluar.
Katastrofa që po shpaloset në Indi duket se është skenari më i keq që shumë kishin frikë nga pandemia, ku në pamundësi për të gjetur shtretër të mjaftueshëm spitalor, qasje në teste, ilaçe ose oksigjen, vendi me 1.4 miliardë banorë po po fundoset nën peshën e rasteve të reja.

A është më infektues?
Shkencëtarët nuk e dinë ende nëse ky variant është më infektues apo më rezistues ndaj vaksinave.
Mjeku Jeremy Kamil, virolog në Universitetin shtetëror të Luizianës, ka thënë se një nga mutacionet është i ngjashëm me ato që janë parë në variantet e identifikuara në Afrikën Jugore dhe Brazil.
Ky mutacion mund t’i ndihmojë virusit që t’iu shmanget antitrupave në sistemin imunitar, të cilat mund të luftojnë koronavirusin, bazuar në përvojën nga infektimet paraprake apo vaksina.
Mirëpo çfarë duket se është më shqetësues në këtë moment është varianti i identifikuar në Mbretërinë e Bashkuar, i cili është dominant edhe në Britani dhe është përhapur në më shumë se 50 vende të botës.
“Dyshoj nëse varianti indian është më infektues sesa varianti britanik – ne nuk duhet të bëjmë panik”, ka thënë Kamil.
Pjesa më e madhe e të dhënave rreth variantit indian nuk janë të kompletuara, kanë thënë shkencëtarët, pasi shumë pak mostra janë marrë – 298 në Indi dhe 656 në gjithë botën, në krahasim me më shumë se 384,000 mostra të variantit britanik.
A është duke nxitur ky variant valën e dytë të infektimeve në Indi?
India ka raportuar rreth 200,000 raste ditore të infektimit me koronavirus prej 15 prillit – shumë më tepër sesa 93,000, shifra më e madhe ditore që ka regjistruar vitin e kaluar.
Numri i viktimave është duke u rritur po ashtu.
“Popullsia e madhe në Indi dhe densiteti janë inkubatorë perfekt për këtë virus, që të eksperimentojë me mutacione”, ka thënë mjeku Ravi Gupta, profesor i mikrobiologjisë klinike në Universitetin e Kembrixhit.
Megjithatë, vala e rasteve në Indi mund të jetë shkaktuar edhe nga organizimet e mëdha dhe mungesa e marrjes së masave parandaluese, siç është vendosja e maskave dhe distanca fizike.
Mjeku Jeffrey Barrett, nga Instituti Wellcome Sanger, ka thënë se është e mundshme që vala e dytë mund të jetë lidhje shkak-pasojë me variantin e ri, mirëpo ende ka pak të dhëna për ta konfirmuar një gjë të tillë.
Ai ka vlerësuar se varianti indian ka qarkulluar prej fundit të vitit të kaluar.

“Nëse ky variant është duke nxitur valën e përhapjes në Indi tani, pas kaq muajsh që qarkullon, kjo tregon se ai mund të jetë më pak transmetues sesa ai britanik”.
Shkencëtarët besojnë se vaksinat ekzistuese do të ndihmojnë në kontrollimin e këtij varianti, kur është fjala për parandalim të simptomave të rënda të sëmundjes.
Disa variante pashmangshëm do t’iu ikin vaksinave aktuale, sipas një punimi të publikuar në revistën Nature, nga profesori Gupta dhe kolegë të tij.
Për pasojë, vaksinat do të duhet të ndryshojnë, në mënyrë që të jenë më efektive.
Megjithatë, vaksinat aktuale besohet se kanë shumë mundësi të ndalin shkallën e përhapjes së sëmundjes.
“Për shumë persona, këto vaksina mund të nënkuptojnë dallimin në mes të pak apo aspak sëmurjes dhe përfundimit në spital, në rrezik për vdekje”, ka thënë Kamil.
“Ju lutem merreni dozën e parë të vaksinës që ju ofrohet. Mos bëni gabim të hezitoni dhe të prisni për vaksinë ideale”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje