Shendet

Covid-19, a duhet të na trembë varianti indian? Çfarë dimë deri tani

Varianti “indian”, B.1.617, u zbulua në 5 5etor 2020 në Maharashtra, shteti ku ndodhet Mumbai. Ka dy mutacione (tashmë të njohura) në proteinën “Spike”: E484Q dhe L452R.

Kjo është hera e parë që të dy shfaqen në një lloj të vetëm. Ekziston frika se varianti mund të përbëjë gjithashtu një rrezik për vendet e tjera, aq sa disa shtete europiane, kanë urdhëruar ndalimin e hyrjes për këdo që ka qenë në Indi në 14 ditët e fundit.

Deri më sot, nuk ka studime përfundimtare që tregojnë nivelin e transmetueshmërisë dhe vdekshmërisë, por mund të supozojmë se – sikundër varianti “anglez” – ai ka një kapacitet mjaft të lartë të përhapjes. Fakti që është identifikuar në Indi, nuk do të thotë se ai ka lindur atje.

“Prevalenca e B.1.617 në Indi, është aktualisht më pak se 10% dhe në zona të tjera të botës, ka raste sporadike, – thonë mjekët specialistë. – Situata në Indi është dramatike, por jo për shkak të variantit. Arsyeja është se, kur infeksionet ranë përkohësisht, virusi u la i lirë për t’u përhapur, duke hequr të gjitha kufizimet. Ajo që po ndodh pra, pritej plotësisht. Theksoj se po flasim për një variant dhe jo për një virus të llojit të lindur si rezultat i vaksinimit në përpjekje për ta anashkaluar atë”. Në Indi, shifrat janë të frikshme: janë 17 milionë infeksione totale dhe 192 mijë vdekje.

Çdo ditë, ka më shumë se 300 mijë raste dhe vdekje raportohen mbi 2 mijë. Sidoqoftë, duke marrë parasysh që India ka 1 miliard e 400 milionë banorë, përqindja e vdekjeve është më e ulët se ajo në vendet europiane, megjithëse një pjesë e vogël e popullsisë është vaksinuar.

Popullata në Indi, ka administruar 130 milionë doza, por vetëm 13 milionë njerëz kanë marrë vaksinën e dytë. Më 24 prill, një rast i variantit “indian” u raportua në Zvicër: është një person që hyrë përmes aeroportit.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka vendosur në marrëveshje me homologun e tij indian, të anulojë vizitën zyrtare në Indi.

Në Mbretërinë e Bashkuar, rreth njëqind raste të importimit janë gjurmuar dhe India është përfshirë midis kombeve në “listën e kuqe” (e cila përfshin rreth pesëdhjetë vende), në të cilat udhëtimi është i ndaluar dhe ku duhet paraqitur një seri testesh e një karantinë të detyrueshme 10-ditore).

Ndërkohë, 8 raste të llojit B.1.617 janë identifikuar në Izrael. Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Hezi Levy, tha se, sipas përshtypjeve të para, vaksina e “Pfizer” është të paktën pjesërisht efektive kundër variantit. Përhapja e tij është megjithatë e kufizuar: ka disa qindra raste në Evropë dhe disa mijëra në botë me variantin “indian”.

Disa vende – përfshirë Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Kanadanë, si dhe Italinë – kanë zbatuar një shtrëngim të lidhjeve ajrore me Indinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë