Ilirjan Celibashi e vlerësoi procesin e votimit me nota pozitive si të qetë të sigurtë dhe me integritet, ndërsa tha se partitë politike frynë shqetësimet që ishin thjesht teknike.
“Procesi u karakterizua nga qetësia, siguria dhe integriteti. Disa episode dhe pretendime që janë bërë të zakonshme dhe palët me tensionin për rezultatin i sjellin të fryra këto shqetësimet, që janë edhe thjesht teknike”, tha kreu i KQZ-së.
Celibashi doli para mediave në përfundim të orarit zyrtar të votimit për të përçuar edhe dy mesazhe me rëndësi. I pari ishte drejtuar partive.
“Partitë të mos deklarojnë fitoren. Të presim numërimin e fletëve të votimit. Procesi i numërimit dhe vlerësimit të fletëve të votimit do të jetë i vëzhguar nga aktorë vendas dhe ndërkombëtarë dhe të gjitha regjistrimet që lidhen me këtë proces do t’u jepen subjekteve pasi të dalë rezultati për partitë politike dhe koalicionet. Procesin në vijim ta përcjellim me qetësi se askush nuk e di se kush i ka fituar këto zgjedhje dhe duhet të presim të numërohen fletët e votimit”, tha ai.
Për rezultatin tha se do të duhen 48 orë kohë që të kuptohet fituesi i këtyre zgjedhjeve, ndërsa mesazhi i dytë ishte drejtuar komisionerëve dhe numëruesve.
“Kodi Zgjedhor i jep të drejtë KQZ-së që të bëjë verifikimin e përmbajtjes së kutive të votimit, kështu që nëse rezulton mospërputhje mes asaj që numëruesit dhe komisionerët kanë deklaruar e raportuar me atë që ka në kuti, të gjithë përgjegjësit për këtë mospërputhje do të kenë sanksione të rënda penale”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




