Një 30-vjeçar i cili fotografoi votën është arrestuar në Tiranë pasi ka fotografuar votën e tij. Sipas burimeve zyrtare, është marrë njoftim nga Komisioni i Qendës së Votimit Nr. 1767, e cila ndodhet në shkollën “Andon Zako Çajupi” se është bllokuar përkohësisht procesi i votimit, pasi anëtarët e komisionit kanë konstatuar se një shtetas po fotografonte votën e tij.
Pas marrjes së vendimit, shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë hyrë brenda qendrës dhe nga kryerja e veprimeve të para ka rezultuar se shtetasi me iniciale G. S., 30 vjeç, pasi është regjistruar, ka marrë fletën e votimit dhe ka shkuar tek dhoma e fshehtë. Pasi ka kryer veprimet, ka fotografuar votën e tij dhe ky veprim është parë nga anëtarët e Komisionit.
Shtetasit G. S. i është bllokuar fleta e votimit dhe më pas nga shërbimet e Policisë është bërë shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit, për veprime të me tejshme hetimore.
Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në Shkodër në lagjen Tophane. Një person ka tentuar të fotografojë votën, por është ndaluar nga komisioni dhe më pas është njoftuar policia. Në polici ai ka deklaruar se nuk e dinte se është e ndaluar.
Ndërkohë, një tjetër incident është shënuar në qendrën e votimit në fshatin Vashtmi të Qarkut të Korçës. Një votues, ka dashur të votojë familjarisht, por është pikasur dhe penguar nga vëzhguesi i Partisë Demokratike, çka ka bërë që mes tyre të ketë edhe një konfrontim fizik. Raportohet se votuesi është larguar duke marrë me vete edhe fletën e votimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




