Nga Anxhela Çelanji – Disa vaksinat janë në dispozicion dhe vendet europiane po mendojnë që të krijohet një tjetër mundësi vaksinimi; me anë të përzierëve të dozave. Deri më tani kombinimi i mundshëm që kanë menduar ekspertët është vaksina Pfizer dhe AstraZeneca ndërkohë që është një studim në zhvillim për këtë proces. Por si po trajtohet kjo ide te ne dhe çfarë mendimesh kanë ekspertët?
Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, i tha Gazetasi.al se një proces i tillë po vlerësohet nëse do të përdoret. Bino tha se nëse ky proces do të përdoret, vendi ynë i ka kapacitet e duhura.
Ndërkohë mjeku shqiptar në Londër, Laidon Shapo i tha Gazetasi.al se kjo është një tematikë që po debatohet në qarqe shkencore (sidomos mes vaksinolgeve dhe imumologeve) pasi dihet që ka një boshllëk vaksinash në rang global.

“Shumica e vaksinave të koronavirusit jepen si dy injeksione: një dozë fillestare ‘ose parësore’ e ndjekur nga një e dytë ‘nxitëse’ për të stimuluar qelizat e kujtesës së sistemit imunitar dhe për të amplifikuar reagimin imunitar. Ka variante të virusit në qarkullim si ai i Afrikës së Jugut dhe Brazilian (por jo vetëm) që tentojnë të anashkalojnë barrierat imunitare dhe vaksinore dhe ka të dhëna nga epidemi të tjera ku kombinimi i dy vaksinave të ndryshme (dhe me mekanizëm disi ndryshe veprimi) fuqizon efektin mbrojtës mes përgjigjes imunitare (mes qelizës B dhe T)”, i shpjegoi Shapo Gazetasi.al.
Më tej eksperti shpjegon se prova klinike e krijuar na ekspertët e universitetit të Oxfordit dhe me 800 pjesëmarrës deri më tani synon të testojë përgjigjet imune ndaj kombinimit të vaksinës Pfizer me AstraZeneca, vaksina e parë që përdor udhëzimin e ARN për të shkaktuar një përgjigje imune dhe vaksina e dytë e cila përdor një virus të padëmshëm për të transportuar një gjen kryesor të koronavirusit në qeliza.

“Në Mbretërinë e Bashkuar, ky trial po ecën mirë dhe tashmë po kërkon më shumë vullnetarë. Prova klinike për vaksinat Covid-19 është duke u zgjeruar ndërsa presim rezultatet e fazës së parë të studimit. Studimi synon të zbulojë se kombinimi i vaksinave mund të japë imunitet më të gjerë, më afatgjatë ndaj virusit dhe varianteve të reja të tij dhe gjithashtu të ofrojë më shumë fleksibilitet për përhapjen e vaksinave” shpjegon Shapo për Gazetasi.al
Të dhënat tregojnë se deri më tani ekspertët e shëndetit në botë kanë shpjeguar se gjatë këtij studimi të përmendur nga eksperti Shapo, do të kontrollohen edhe efektet anësore të kombinimit, në mënyrë që të jetë një proces definitiv në përgjigje. Sipas ekspertëve që po merren me studimin, mund të marrin pjesë vullnetarë që janë mbi moshën 50 vjeç dhe kanë marrë dozën e parë të Pfizer ose AstraZeneca.

Ndërkaq për sa i përket kësaj çështje, mjeku shqiptar në Spanjë, Kita Sallabanda Diaz i tha Gazetasi.al se edhe në vendet e tjera po mendohet ky proces, por nuk është i këshillueshëm.
“Virologet thonë që jo, nuk e këshillojnë,,” shpjegon mjeku.
Ndër të tjera Sallabanda shpjegon se as nuk mund të përcaktohet se cilat vaksina mund të kombinohen. Duke marrë shembull, Sallabanda shpjegon se Pfizer dhe Moderna janë më të ngjashme po me peshe virale të ndryshme.
Shkencëtarët duke nisur që nga Kina ku pati zanafillën Covid-19 dhe deri tek ata në Britaninë e madhe, po shqyrtojnë përzierjen e dy dozave të ndryshme vaksinash si një proces për shpejtimin e imunizimit të popullatës dhe administrim më të mirë të vaksinave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje