Kryeministri Edi Rama, nga një takim elektoral në njësinë 5 në Tiranë, komentoi sërish plagosjen që ndodhi në zyrat elektorale të PD në Kavajë ditën e hënë, duke parë si përgjegjës vetëm një person.
“Është Ilir Meta që çdo ditë vë fitila ngado dhe që po përdor gjithçka për të destabilizuar fushatën që ta destabilizojë Shqipërinë se Ilir Meta e di shumë mirë se çfarë do ndodhë në 25 prill e di shumë mirë që votat në kuti për PS-në do pikojnë njësoj si ky shi mbi kokat tona.
Meta e di shumë mirë që aq sa ne sot tani mund të ndalin shiun aq mund të ndalë Ilir Meta, Saliu, Monika, Luli dhe ata fitoren e PS me një breshër votash nga Veriu në Jug në çdo kuti”, tha Rama
Ajo që ndodhi në Kavajë, sipas Edi Ramës, është vepër penale që nuk duhet politizuar.
“Në atë ngjarje është bërë një vepër penale, ndërsa politizimi i kësaj ngjarje është një tjetër vepër e shëmtuar morale. Si mundet të jesh zëdhënësi i ndryshimit dhe thjesht e vetëm të vazhdosh të zgjasësh zinxhirin e veprave të shëmtuara morale që kanë mishëruar lidershipin e asaj partie gjithnjë?
Ku ndryshon Lulzim Basha nga Sali Berisha?
Sigurisht që ndryshojnë por ku? Përderisa vija e sjelljes është e njëjta.
Berisha është karakter i mbrapshtë por është karakter ndërkohë që Basha është karakter i dobët, lider pa karakter, ndjekës i asaj vije sjelljeje që ia kanë përcaktuar e ia diktojnë përditë Saliu me Ilir Metën që rendi atje për ta bërë lajmin e kushedi të satë të ditës në vazhdën e absurditeteve të tij që kanë vetëm një qëllim, ta tensionojnë maksimalisht fushatën elektorale të nxisin maksimalisht përplasje të stimulojnë sherr dhe ndasi.
Imagjinoni sikur ta hiqnin për një moment imazhin e Ilir Metës, fushata me përjashtim të gomave që xhirojnë do ishte një fushatë krejt normale, krejt e qetë për hir të të vërtetës, është kjo qetësi që e tërbon Ilir Metën, është filli i kësaj vazhdimësie pa konflikte dhe pa gjuhën e urrejtjes se Lulëzimin e kanë kurdisur ndryshe këtë herë i kanë kërkuar të bëjë dhëndrin e qeshur e që është nisur për dasmë e gjuha e tij nuk ka urrejtje”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




