Ka ndodhur

Plagosja në Kavajë, Rama: Basha të bashkohet me mua, Meta të ndalë tensionin

Pas akuzave të krydemokratit Basha në lidhje me plagosjen e ndodhur ndaj një aktivistit të PD në Kavajë, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.

Ky i fundit, në një mesazh në rrjetet sociale, kërkon zbardhjen sa më të shpejt të ngjarjes në Kavajë, kapjen dhe vënien para drejtësisë të autorit.

Me të tjerash, Rama shkruan se Basha duhet të bashkohet me të për të mbështetur drejtësinë, ndërsa Meta duhet të ndalë fushatën e tensionit.

“Plagosja e Kavajës e patolerueshme! Autori duhet çuar në pranga sa më shpejt! Politizimi i kësaj ngjarjeje është po aq i keq sa vetë ngjarja! LB duhet të bashkohet me mua për të mbështetur drejtësinë pa nxitur tensionin, ndërsa IM duhet ta ndalë fushatën idioteske të tensionimit!”, – shkruan Rama.

Kandidati për deputet në Tiranë për Partinë Socialiste, Etien Xhafaj

Ndërkohë, Partia Socialiste, është distancuar nga incidenti i ndodhur këtë të hënë në Kavajë, në zyrën elektorale të PD-së. Kandidati i PS-së për deputet në këtë qytet, Etjen Xhafaj, apelon që autori të vihet para drejtësisë dhe ngjarja të mos politizohet.

“Ngjarje si kjo e sotmja, nuk përfaqësojnë kulturën dhe qytetarinë e Kavajës. Jam i bindur se ngjarja nuk ka lidhje me politikën dhe ne që garojmë për zgjedhjet e 25 prillit duhet të jemi të parët, që jo vetëm ta denojmë aktin e sotëm, por edhe mos ta politizojmë këtë ngjarje, – tha ai. – Zgjedhjet duhet te jenë festë dhe kështu do të jenë në Kavajë e gjithë Shqipërinë. Autoritetet duhet të veprojnë me shpejtësi dhe autorët duhet të vendosen një orë e më parë para drejtësisë. Shërim sa më të shpejtë për djalin e përfshirë në ngjarje!”,- shkruan Xhafaj në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë