Zyra elektorale e Partisë Demokratike është përgjakur pasditen e të hënës nga të shtënat me armë zjarri. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 në lagjen numër 4 të qytetit, ku ka mbetur i plagosur 27-vjeçari Bledar Oshtuni, sekretar i PD në këtë zonë, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa është shpallur në kërkim nga policia, si autor i dyshuar i ngjarjes, Ndriçim Jonuzi. Ky i fundit, nuk është emër i panjohur për drejtësinë. Ai rezulton me prencedent të theksuar kriminal në fushën e krimit kundër jetës dhe rezulton i dënuar në Itali.
Në një daljë zyrtare, policia tha se shtetasi N. J., dyshohet se si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik dhe ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin B. O., 27 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.

Forca të shumta policie kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon krehja e zones, si edhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit për kapjen e autorit.
Nga Tirana ka mbërritur me urgjencë në Kavajë edhe kryedemokrati Lulzim Basha, i cili e quajti këtë ngjarje të rëndë dhe një atentat ndaj PD nga një kryeministër që e di se të dielën do të humbasë.
“Sot Kavaja është përballur me një ngjarje të rëndë. Një atentat kundër PD, kundër Aleancës për Ndryshim, nga një kryeministër që e di se të dielën ai humb, Kavaja fiton dhe Shqipëria fiton, – tha Basha. – Një njeri që ka humbur çdo kufi njerëzor. Dhe sot hesht, ndërkohë që njerëzit e tij me dhunën, me atentatin, jo thjesht ndaj aktivistit tonë, por ndaj demokracisë, tregojnë se këtij regjimi i ka ardhur fundi. Kërkojnë të frikësojnë Kavajën, kërkojnë të frikësojnë PD, koalicionin për ndryshim dhe shqiptarët. Kërkojnë të na mbyllin gojën”.

Kreu i PD-së shtoi se “nuk na e kanë mbyllur gojën kurrë, nuk i kemi frikë. Do të marrin përgjigjen e merituar me votë, të dielën, nga Kavaja dhe e gjithë Shqipëria”, – nënvizoi ai.
Ndërsa në vendngjarje ka shkuar edhe kandidatja për deputete e PD-së, Grida Duma, e cila tha se bëhet fjalë për një sulm politik.
Duma shtoi publikisht, se ishin tre persona, ndër të cilët drejtori i Policisë Bashkiake, Ndriçim Onuzi dhe dy persona të tjerë që i identifikoi si aktivistë pranë PS, Merkel Shtylla dhe Dorian Troplini.

“Është një mbrëmje e trishtë për Shqipërinë, për demokracinë. Kjo nuk është më mënyrë më e mirë që duhet të zhvillohen zgjedhjet. Rama e ka humbur drejtimin prej 8 vitesh. Tani që e ka kuptuar humbjen, shkon në dhunë. Ne nuk do ta lëmë në heshtje këtë ngjarje të rëndë të plagosjes së sekretarit të PD-së për Kavajën, – u shpreh Duma. – Jemi në shtabin 4-5 në Kavajë. Incidenti, aksidenti dhe goditja, janë të gjithë me arsye politike. Tre personat e përfshirë në krim, janë të përfshirë me PS. I njohim padiskutim. Nga çasti në çast presim zotin Basha. I plagosuri është një djalë i një familje pishtar i Demokracisë. Tre persona hynë brenda, dhe djali ishte ulur në karrige. S’më lejohet që të futem brenda. Dyert janë të mbyllura. Pak më parë e pashë situatën”, vijoi ajo.
Ndërkohë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




