Ka ndodhur

Burg për autorin e dyshuar të vrasjes së Shkëlzen Kastratit në Fier

Gjykata e Fierit ka dhënë masën e sigurisë “arrest në burg” për Albert Zajën, i dyshuar si autor i vrasjes së Shkëlzen Kastratit në 1 shkurt të këtij viti në Fier.

I shoqëruar nga forca të shumta policie, Zaja është  paraqitur për herë të dytë para një trupi gjykues për vrasjen e Kastratit.

Në seancë, gjykata vendosi vijimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, këtë herë për veprën penale “armëmbajtje  pa leje të armëve luftarake”.

Me 24 mars ai u njoh me masën e caktuar në mungesë nga Gjykata e Fierit për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim.

Zaja, është i vetmi i arrestuar i grupit të dyshuar të vrasësve me pagesë që ekzekutuan 42-vjeçarin Kastrati në makinën e tij në rrethrrotullimin e Sheqit.

Të dyshuar si bashkëpunëtorë të tij në këtë vrasje, janë Elmir Tufa, 29 vjeç, Elson Xheçuka, 27 vjeç, dhe Silvio alias Roland Cara 39 vjeç, të cilët janë ende në kërkim nga policia. Arrestimi i 37-vjeçarit, është bërë nga forcat RENEA në fshatin Larushk të Niklës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë