Ka ndodhur

Kokaina në banane, burg për dy administratorët: S’kemi lidhje me drogën

Gjykata e Durrësit, ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për dy administratorët e kompanisë ‘Masabi Fruits’ Klajdi Xibraku dhe Erion Peti.

Dy ortakët, u arrestuan të shtunën, pasi në kontejnerin që kishin porositur banane të ardhura nga Ekuadori, policia gjeti 143 kg kokainë.

Droga ishte e fshehur në dyshemenë e çeliktë të kontejnerit, ndërsa mbi të ishte stampuar portreti i baronit famëkeq të drogës, Pablo Escobar, si dhe fjalët “El Mejor”, (“më e mira”).

Peti dhe Xibraku, nuk kanë pranuar se janë pjesë e linjës së trafikut të kokainës nga Ekuadori në drejtim të Shqipërisë.

Ata kanë thënë se nuk kanë asnjë lidhje me drogën dhe kanë porositur vetëm banane, pa pasur dijeni që në kontejner ka pasur lëndë narkotike.

“Nuk kemi asnjë lidhje me drogën. Ne kemi porositur vetëm banane dhe nuk kemi pasur asnjë ide që brenda në kontejner ka pasur lëndë narkotike”, kanë deklaruar ata para gjykatës.

Rreth një muaj e gjysmë më parë, ngarkesa është futur në kontejner dhe më pas është dërguar në anijen “MSC MIRRELLA” në portin e Guajakilit në Ekuador. Nga këtu, ngarkesa ka përfunduar në portin e Panamasë, të quajtur Rodman, ku është ngarkuar në anijen e transportit “MSC NAOMI” dhe është nisur drejt Italisë për të kaluar tranzit në portin e “GIOIA TAURO” në Kalabri.

Në këtë port, kontejneri, bashkë me anijen kanë qëndruar pak më shumë se një javë. Më pas është nisur me anijen “Contiship” drejt portit të Pireut në Greqi dhe nga andej ka mbërritur në Shqipëri.

Në Greqi është nisur drejt Shqipërisë me anijen “Dance” me flamur portugez. Pasi ka lënë ngarkesën në Durrës, anija ka pasur destinacion final portin e Tivarit në Malin e Zi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë