Shendet

Psikologët shpjegojnë se certifikatat e vaksinimit mund të jenë të dëmshme

Certifikatat e statusit për sa i përket Covid -19 për të kuptuar se kush është vaksinuar apo jo mund të jenë edhe të mira por edhe të dëmshme.
Sipas disa shkencëtarëve mjekësorë në Britaninë e Madhe e keqja e kësaj certifikate është se ka njerëz që mund të dalin dhe të infektohen qëllimisht në mënyrë që të testohen pozitivisht për antitrupa dhe të marrin një certifikatë që u mundëson atyre të dalin lirisht. Ata thonë se certifikatat, si pasaportat e vaksinave, gjithashtu mund të inkurajojnë njerëzit të sillen sikur nuk janë më të rrezikuar, duke injoruar maskën dhe distancimin shoqëror. Raporti është shkruar nga një grup prej tetë psikologësh dhe shkencëtarësh të sjelljes, të cilët janë pjesë e organit këshillues qeveritar për pandeminë e njohur si “Grupi i Vështrimeve Shkencore për Pandeminë mbi Sjelljet e Njerëzve (SPI-B)”
Raporti i tyre bazohet në studimet e kryera deri më tani për qëndrimet e njerëzve dhe sjelljet e mundshme nëse miratohen certifikatat e imunitetit.
"Lejimi i njerëzve që të kthehen në punë dhe të përmbushin detyrimet e kujdesit sjell shumë përfitime shoqërore, emocionale dhe ekonomike. Në të vërtetë, mund të konsiderohet jo etike kufizimi i lëvizjeve të atyre që paraqesin rrezik minimal për të tjerët. Në varësi të mënyrës se si zbatohet, certifikata shëndetësore gjithashtu mund të inkurajojë marrjen e vaksinimit por gjithashtu ka potencial për dëm. Një shqetësim nga këndvështrimi i sjelljes është se certifikimi mund të nxisë ndjenjën e gabuar së ata nuk janë më të rrezikuar nga Covid-19 përderisa thuhet në certifikatë e si pasojë do të rriten edhe infektimet ", ka deklaruar John Drury, profesor i psikologjisë sociale në Universitetin e Sussex.
Certifikatat e gjendjes shëndetësore nuk janë një ide e re, theksojnë ata. Në shekullin e 15-të, ato u përdorën për të lejuar tregtinë dhe udhëtimet gjatë murtajës në Evropë. Ata vërtetuan vetëm se bartësi kishte ardhur nga një qytet pa murtajë. Në pandeminë aktuale, Izraeli tashmë ka prezantuar një aplikacion "green pass" për të lejuar ata që janë vaksinuar të shkojnë në koncerte dhe teatër, ndërsa BE ka njoftuar se ka një skemë për të lejuar ata që kanë pasur Covid-19 ose janë vaksinuar të udhëtojnë midis shteteve anëtare.
Përfitimet e mundshme të certifikatave, të tilla si mundësia e njerëzve të shkojnë në evente dhe të udhëtojnë më lirshëm dhe sigurt, duhet të merren parasysh në kontekstin e potencialit të tyre për dëm, thonë autorët, "por natyra dhe shkalla e tyre mbetet e pasigurt.
“Gjithashtu e pasigurt është mënyra se si këto dëme do të zbuten në mënyrë efektive dhe sa më shpejtë të jetë e mundur”, shpjeguan ekspertët.
Burimi:The Guardian/Përshtati:Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë