Ka ndodhur

Rikthehen punimet në autostradën Tiranë-Durrës, si devijon trafiku

Rikthehen punimet në auostradën Tiranë-Durrës. Segmenti Qafë Kashar–Ura e Dajlanit, do t’i nënshtrohet riparimit të shtresave të asfaltit, duke nisur nga e mërkura e datës 7 prill, deri më 21 prill.

ARRSH thotë se dita e parë e punimeve, do të jetë në segmentin Qafë Kashar-Vorë, ku ndërhyrja do të fillojë në Qafë Kashar, me drejtim për në Vorë.

Mjetet do të devijohen në Qafë Kashar, degëzimi për Rinas dhe në rrugën dytësore.

Dita e dytë e punimeve do të jetë në segmentin Vorë-Maminas, ku mjetet do të devijohen në Vorë pranë mbikalimit të këmbësorëve për në rrugën dytësore dhe do të ndjekin nënkalimin për në rrugën e vjetër Vorë-Maminas.

Në ditën e tretë punimeve, do të jenë në segmentin Maminas-Sukth, ku mjetet do të devijohen në Degëzimin Maminas për në rrugën dytësore Maminas-Sukth.

Në ditën e katërt, ato do të vijojnë në segmentin Maminas-Kryqëzimi i Shkozetit dhe mjetet do të devijohen në Degëzimin e Sukthit për në rrugën dytësore Sukth-Shkozet.

Në ditën e pestë, punimet do të vijojnë në segmentin Shkozet-Ura e Dajlanit, ku mjetet do të devijohen në Degëzimin e Shkozetit për në rrugën dytësore Shkozet-Durrës.

Faza e dytë e punimeve, do të jetë drejtimi Ura e Dajlanit Durrës-Qafë Kashar, ku do të ndiqet i njëjti grafik punimesh dhe devijime trafiku, por me drejtimin nga Ura e Dajlanit-Qafë Kashar.

ARRSH shpjegon se ky grafik mund të ketë ndryshime në rast të motit të papërshtatshëm, me reshje shiu, për të cilat do të bëhet vlerësimi dhe njoftimi paraprak për publikun.

ARRSH rekomandon të gjithë drejtuesit e automjeteve që për të shmangur trafikun e rënduar të zgjedhin rrugë të tjera alternative.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë