Një pjesë e partisë prej 22 mijë e 230 doza vaksinash “Pfizer” anti-Covid, ka mbërritur mbrëmjen e kësaj të hëne në Rinas.
Lajmin e bën me dije kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, por pa treguar sa doza vaksinash kanë mbërritur.
“Sapo mbërriti në Rinas partia e parë e 22 mijë e 230 dozave PFIZER, që do të lëvrohen deri në 20 prill. Vazhdojmë me forcë e me këmbëngulje përpara, që t’i kthejmë Shqipërisë buzëqeshjen një orë e më parë, mes vendeve më të shpejta në Europë për vaksinimin masiv”, – është mesazhi i tij në Facebook në mbrëmje.
Më herët Rama njoftoi se ka siguruar edhe 50 mijë doza të vaksinës ruse, të cilat do të vijnë brenda 10 ditëve.
Ai tha se me nisjen e vaksinimit masiv, vendi do të dalë shumë shpejt nga tuneli i errët i pandemisë.
“Sapo kemi arritur marrëveshjen për të sjellë në Shqipëri 50.000 doza të tjera të vaksinës Sputnik brenda 10 ditëve. Ne do ta fitojmë këtë luftë me forcën e karakterit e të këmbënguljes sonë dhe do ta lemë shpejt pas tunelin e pandemisë, ku drita e daljes sa vjen e zmadhohet”, – shkruan Rama në një postim në Fb pasditen e së hënës.
Këto doza do të shërbejnë për të vijuar procesin e vaksinimit masiv në vend, me qëllim arritjen e objektivit prej gjysmë milioni të vaksinuar brenda muajit maj.
Kjo është sasia e dytë e dozave të vaksinës ruse Sputnik, ndërsa aktualisht për injektim, po përdoren dozat nga kompania “Pfizer”, “AstraZeneca” dhe “Sinovac” (vaksina kineze).
Në fund të marsit, Rama pati njoftuar se qeveria e tij ka siguruar edhe 50 mijë vaksina të tjera “Astrazeneca”, jashtë marrëveshjeve të deritanishme.
Procesi i vaksinimit vijon masivisht me grupmoshën 70 vjeç plus, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë përgatitet që javën e ardhshme të hapë vaksinimin e grupmoshës 65 vjeç plus dhe të sëmurëve kronikë.
Fushata e vaksinimit në Shqipëri ka nisur që më 11 janar të këtij viti, ku në total janë vaksinuar mbi 192.882 persona.

Ndërkohë, këtë të hënë paradite, Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit masiv në Pogradec.
Shefi i qeverisë ka deklaruar se nuk do të mbetet asnjë qytetar pa u vaksinuar.
“Nëse nuk bëjmë edhe vaksinim, edhe distancim bashkë, kjo luftë bëhet më e vështirë. Një parti si e jona, mund të mbledhë njerëz masivisht, por kjo është papërgjegjshmëri, – tha Rama. – Këtë javë do kemi një lajm tjetër për një sasi të konsiderueshme vaksinash të tjera. Po ecim me ritme shumë të larta, askush nuk do të mbetet pa u vaksinuar”, – vijoi ai.
Ndërsa Manastirliu, theksoi se në të gjithë qarkun e Korçës, kanë marrë doza anti-Covid, më shumë se 9 mijë qytetarë.
“Kemi vaksinuar mbi 500 të moshuar, duke përfshirë edhe forcat e efektivëve ditën e sotme. Sot pritet të arrijmë 200 mijë vaksinime. Do të vijojmë përmbylljen me efektivët e policisë dhe të ulim fashën tek grup-mosha 65-vjeç dhe 60 tek të sëmurët kronikë”, tha ministrja e Shëndetësisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




