Ka ndodhur

Lushnjë, kishin kthyer banesën në laborator kanabisi

Në Lushnjë, tre persona janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pasi akuzohen se kishin përshtatur banesën në laborator për kultivimin e kanabisit, përmes ngrohjes me llamba.

Policia thotë se në pranga janë vënë Fiqiri Dedej, Kreshnik Ibraliu dhe Klevis Likja.

Gjatë aksionit të policisë janë sekuestruar fidanë kanabisi, pajisje të ndryshme elektrike dhe një armë gjahu.

Këta persona kishin përshtatur katin e parë dhe katin e tretë të banesës së 53-vjeçarit Fiqiri Dedej me aparatura.

Në banesë, është konstatuar edhe një lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.

Ndërkohë, gjatë operacionit, në banesën e shtetasit F. D. është gjetur dhe sekuestruar edhe një armë gjahu pa leje.

Materialet i kaluan Prokurorisë Lushnjë për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë