Politike

BE disburson 90 mln euro për Shqipërinë, kredi e butë kundër pandemisë

Bashkimi Europian ka disbursuar për Shqipërinë gjysmën e shumës së premtuar në formë huaje me norma interesi të buta, si ndihmë financiare për të përballuar pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë.

Komisioni njoftoi këtë të mërkurë disbursimin e 90 milionë eurove, nga 180 euro të premtuara majin e vitit të kaluar për vendin tonë, si pjesë e fondit prej 3 mld eurosh, që Brukseli vuri në dispozicion për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Europës Lindore.

Marrëveshja e Mirëkuptimit mes Qeverisë shqiptare dhe BE-së u nënshkrua në fillim të shtatorit të vitit të kaluar. Sipas Ministrisë së Financave, Shqipëria do të përfitojë asistencën makro-financiare prej 180 milion Eurove në formën e një huaje të butë, me normë interesi 0.5% me kushtet aktuale të tregjeve financiare.

Marrëveshja kushtëzon edhe qëllimin e kësaj huaje, që nga lehtësimi i kufizimeve të financimit të jashtëm të vendit, lehtësimi i bilancit të pagesave dhe nevojat buxhetore, të forcojë pozicionin e rezervës valutore dhe të ndihmojë vendin të adresojë sfidat sociale të pandemisë.

Sipas BE, 180 mln eurot janë dhënë si pjesë e një programi për të forcuar financat publike, garantuar likuiditetin e tij dhe për të përmirësuar qeverisjen, luftën kundër korrupsioni dhe përforcuar mbrojtjen sociale ndaj shtresave në nevojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë