Verën e vitit 2005, Bajram Kosumi, në atë kohë prej pak muajsh Kryeministër i Kosovës mbyll pushimet e tij në Turqi dhe udhëton me shpejtësi me një avion privat drejt Prishtinës.
Në ato ditë diskutohej ende statusi përfundimtar i Kosovës dhe në Prishtinë ishte ndalur për vizitë i dërguari special i Kombeve të Bashkuara, Kai Eide. Eide ishte i ngarkuar me mandatin e hartimit të një raporti për gjendjen politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë dhe dorëzimin e këtij raporti tek Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.
Pikërisht nga ky raport do të buronte edhe pavarësia e Kosovës e mbërritur 3 vite më vonë.
Por, në fillim të shtatorit të 2005, më shumë se sa raporti i Kai Eides bëri bujë një detaj tjetër që lidhej me udhëtimin e Kryeministrit. Bajram Kosumi ishte kthyer në atdhe me një avion privat të paguar nga privatët, çka shkelte ligjin për zyrtarët e lartë, të cilëve nuk u lejohej që të pranonin dhurata me një vlerë më të lartë se 50 euro.
Ishin ende vitet e medias së printuar dhe televizive, që për ditë me radhë akuzuan Kryeministrin Bajram Kosumi për mitmarrje dhe korrupsion. Opozita, ku në atë kohë bënte pjesë edhe Presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit.
Por, Kosumi nuk u dorëhoq. Ai e justifikoi udhëtimin me shpenzimet e privatëve me “urgjencën që kishte për t’u rikthyer në Prishtinë dhe për t’u takuar me ambasadorin Kai Eide”.
Në fakt, “dhurata” ishte bërë nga familja e Ethem Çekut, në atë kohë ministër i qeverisë së Kosumit, megjithëse edhe kjo nuk e shmangte shkeljen e ligjit në këtë rast.
“E vërteta rreth kësaj është se i kam ndërprerë pushimet në Turqi në momentin kur kam marrë njoftimin se ambasadori Kai Eide do të vijë në Kosovë dhe unë duhet të takohesha me të një ditë përpara nga sa e kishim planifikuar. Ky takim ishte shumë i rëndësishëm. Për mua raporti i ambasadorit Eide ka qenë dhe është gjëja më e rëndësishme në gjithë procesin ku jemi sot. Pa asnjë hamendje kam vendosur të kthehem në Kosovë. Për këtë kam kërkuar ndihmën e mikut tim, ministrit Çeku, i cili po ashtu ka qenë me mua në Turqi, që të shikojë mundësitë e kthimit sa më shpejt në Kosovë. Meqenëse nuk kishte mundësi tjetër, sepse nuk kishte fluturime të rregullta atë ditë, ne kemi gjetur një avion privat me të cilin jemi kthyer në Kosovë dhe të cilin e ka paguar familja e Çekut”, deklaronte Kosumi për BBC-në në atë kohë.
Justifikimi i tij nuk shoi akuzat për korrupsion, mitmarrje dhe shkelje të rënda të ligjit, por sërish ai u rezistoi atyre dhe nuk u dorëhoq. Dorëheqja mbërriti në mars të 2006 pas pakënaqësisë së madhe të qytetarëve kosovarë dhe koalicionit kosovar, duke u zëvendësuar nga Agim Çeku.
Bujar Kosumi u zgjodh Kryeministër i Kosovës në mars të 2005, duke zëvendësuar Ramush Haradinajn, i cili dha dorëheqjen pasi ndaj tij u ngritën akuzat për krime lufte në Gjykatën e Hagës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




