Kryeministri Edi Rama dyfishoi objektivin e vendosur nga Ministria e Shëndetësisë për numrin e vaksinave që mund të realizohen në ditë.
“Tani që kemi siguruar sasinë dhe me 20 mijëshin e arritur dje jemi vetëm në fillim dhe mund të shkojmë lirshëm në 30 mijë në ditë. Mund të shkojmë pa problem, që do të thotë se në një kohë shumë më të shpejtë se sa e kishim parashikuar mund të bëjmë dozën e parë masivisht dhe të mbyllim shtresën që është më vulnerabël, pastaj pjesa tjetër na jep më shumë kohë”, deklaroi kreu i Qeverisë.
Rama foli nga Kurbini ku ka nisur procesi i vaksinimit për të moshuarit. Objektivi i vendosur prej tij në 30 mijë vaksinime në ditë është dy herë më i lartë se objektivi i deklaruar disa ditë më parë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
“Jemi duke punuar në mënyrë që edhe kapacitetet tona t’i kemi të përgatitura, që të kemi mundësi të aplikojmë nga 10 deri 15 mijë vaksinime në ditë, në mënyrë që të kemi mundësi të vaksinojmë shpejt popullatën”, tha Manastirliu më 23 mars gjatë nisjes së vaksinimit me 10 mijë dozat e vaksinës ruse Sputnik, që Qeveria tha se janë dhuratë e një princi të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Manastirliu thotë se në të gjithë vendin aktualisht janë aktivizuar 1100 vaksinatorë dhe objektivi i ri i vendosur, pra për 30 mijë vaksina në ditë është plotësisht i realizueshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje