Kombëtarja mbyll sot përgatitjet për ndeshjen me San Marinon në transfertë, e treta brenda pak ditësh për kualifikueset e Botërorit të Katarit. Nga grupi që kishte në dispozicion trajneri Reja janë larguar disa lojtarë për shkak dëmtimesh dhe jo vetëm.
Sulmuesi Florian Kamberi duket se është kthyer në një çështje, e ngjashme me atë të Eros Grezdës kohë më parë. Sipas njoftimit zyrtar të FSHF-së, lojtari në fjalë ka probleme fizike dhe nuk mund të luajë me San Marinon, ndaj është larguar. Por nga burime jozyrtare flitet se ka një qejfmbetje të Kamberit për mosaktivizimin në ndeshjen ndaj Anglisë.

Me siguri këtë çështje do ta sqarojë vetë trajneri Reja në konferencën e sotme për shtyp, por kuptohet që ka një “krisje” të sulmuesit me italianin e stolit kuqezi. Deri tani Kamberi nuk kishte luajtur me fanellën kuqezi, sepse nuk kishte dokumentacionin përkatës. Në momentin që kjo çështje u zgjidh, vjen dëmtimi i dyshimtë dhe pakënaqësia për aktivizimin e munguar.
Nga grumbullimi janë larguar për shkak dëmtimi edhe Marash Kumbulla dhe Odise Roshi. Në ndeshjen e nesërme me San Marinos formacioni i Kombëtares do të pësojë ndryshime, ku pritet të kenë hapësirë lojtarë si Strakosha, Ajeti, Ramadani, apo edhe Kallaku e Doka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




