Elseid Hysaj është një “okazion” në merkaton e kësaj vere. Mbrojtësi i Shqipërisë do të largohet nga Napoli me parametra zero dhe ky fakt ka rritur interesimin e klubeve të mëdha të Serisë A, por edhe jashtë Italisë.
Hysaj e ka rritur ndjeshëm nivelin e tij në javët e fundit me Napolin. Edhe ndaj Anglisë ai ishte një nga kuqezinjtë më të mirë në fushë. Emri i tij tashmë u është propozuar tre klubeve të mëdha, konkretisht Milanit, Romës dhe Lacios. Janë tre skuadra që kanë nevojë të përforcojnë krahët për sezonin e ardhshëm.

Roma ka qenë edhe sezonin e kaluar në gjurmët e futbollistit shkodran, pak kohë më parë u zbulua se edhe Igli Tare po e studion rastin e Hysajt, duke qenë se bëhet fjalë për një lëvizje me parametra zero. Tani del në skenë edhe Milani, që mund ta joshë mbrojtësin kuqezi me emrin e tij të madh. “Telenovela” e të ardhmes së Hysajt sapo ka nisur, e sigurt është që sezonin tjetër ai do të veshë një tjetër fanellë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




