Ka ndodhur

Vdekja e Finos, Meta: Dhimbje e madhe! Basha: Lajm i trishtë

Presidenti Ilir Meta, e ka cilësuar si një lajm tronditës ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe deputetit socialist, Bashkim Fino.

Ndërsa e quan Finon një mik, koleg, politikan të moderuar dhe qytetar aktiv e familjar shembullor, Meta ka shprehur ngushëllimet e tij.

“Ndarja e papritur nga jeta e mikut, kolegut, politikanit të moderuar dhe e Kryeministrit të Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, qytetarit aktiv e familjarit shembullor, Bashkim Fino, na ka tronditur të gjithëve këtë mëngjes. Dhimbje e madhe, që na ka lënë pa fjalë! Ngushëllimet më të ndjera, të prehet në paqe dhe përherë i paharruar në kujtimet tona”, shkruan Meta.

Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Fino.

Ai shprehet se kontributi i Finos në politikën shqiptare do të vlerësohet gjithmonë.

“I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Fino dhe të gjithë të dashurve të tij. U prehtë në paqe! Me trishtim mësova lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit, ish-ministrit dhe ish-deputetit Bashkim Fino. Jam i bindur se kontributi i Bashkim Finos në politikën shqiptare do të vlerësohet gjithmonë si një zë i rëndësishëm për stabilitetit politik & shoqëror të vendit”, – shkruan kryedemokrati në rrjetet sociale.

Deputeti socialist Bashkim Fino humbi jetën nga koronavirusi në orët e para të mëngjesit të sotëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë