Kombetarja

Video/ Klasi anglez bën diferencën, Shqipëria ndëshkohet nga dy gabime

Kur Anglia llogaritej si favorite absolute për kreun e Grupit I pas hedhjes së shortit të kualifikueseve të Botërorit, të gjithë kishin parasysh atë që skuadra e trajnerit Southgejt shfaqi sot në “Air Albania Stadium”: prepotencë, klas dhe efikasitet. Ka përfunduar 0-2 ndeshja e dytë eliminatore e kuqezinjve, të cilët kanë pranuar forcën e “Tre luanëve”.

Disa gabime të skuadrës së Rejës janë shfrytëzuar në mënyrën më të mirë nga Anglia, së pari nga kapiteni Herri Kejn dhe më pas nga Maunt. Kuqezinjtë kishin një shans të artë t’ua bënin ndeshjen “malore” anglezëve, por Uzuni gaboi përballë portierit mik. Janë raste që vijnë “një herë në jetë” dhe duhen shfrytëzuar…

Ndryshimet në formacion ishin paralajmëruar nga trajneri Edi Reja, por askush nuk e priste që Hysen Memolla të ishte titullar. Ai luajti në mesfushë, bashkë me Baren dhe Laçin. Në mbrojtje, para kapitenit Berisha, u rreshtuan Gjimshiti, Ismajli dhe Veseli, ndërsa Hysaj në të djathtë. Uzuni dhe Broja e nisën gjithashtu titullarë, ndërsa Cikalleshi luajti pak më i tërhequr në fillim.

Pjesa e parë ishte përgjithësisht e mirë për kuqezinjtë, të cilët patën rastin e artë të shënimit pas 13 minutash lojë. Hysaj dhe një pasim ideal për Uzunin, që përballë portierit Pop nuk gjuajti saktë. Në momentin e parë që iu dha mundësia, Kejn ndëshkoi Shqipërinë me një gjuajtje të saktë me kokë, pas krosit të Shou nga a e majta. Rezistenca e kuqezinjve zgjati 38 minuta. Më pas ata ioshin me fat, teksa kapiteni i anglezëve goditi traversën.

Disa minuta pas nisjes së pjesës së dytë, trajneri Reja reagoi nga stoli me 3 ndërrime, duke hedhur në fushën Lenjanin, Manajn dhe Memushajn. Në këtë moment erdhi edhe goditja e dytë e Anglisë, pas një gabimi në mbrojtje, ku Gjimshiti i dhuroi topin kundërshtarit. Miqtë nuk mund ta refuzonin këtë dhuratë dhe Maunt realizoi golin e sigurisë.

Trajneri italian aktivizoi pastaj edhe Gjasulën e Ramadanin për të freskuar mesfushën dhe për të kërkuar golin e nderit, që mbeti vetëm një dëshirë. Shqipëria e humbet ndeshjen e parë në shtëpi dhe të dytën në këto eliminatore, ku ka 3 pikë pas 180 minutash. Niveli i lojës nga skuadra jonë ishte deri diku i pranueshëm, tani vëmendja kalon te San Marino, ku fitorja është detyrim, madje me goleadë. Grupi I udhëhiqet nga Anglia me 6 pikë.

Shqipëri-Angli 0-2

Shqipëria: Berisha, Ismajli, Gjimshiti, Veseli, Hysaj, Memolla (Lenjani), Bare (Memushaj), Laçi (Ramadani), Uzuni, Cikalleshi (Manaj), Broja (Gjasula). Trajner: Edi. Reja

Anglia: Pop, Uollker, Meguajër, Stons, Shou, Foden, Rajs, Filips, Maunt, Stërling, Kejn, Trajner: Gereth Southgejt


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë