Nga Fatjon Rupi – Shqipëria e nisi mbarë fushatën eliminatore të “Katar 2022”, duke marrë 3 pikët në transfertën e Andorrës, falë golit të Lenjanit. Pavarësisht fitores, në opinionin futbolldashës, por edhe nga disa specialistë të fushës pati kritika për lojën e kuqezinjve në atë 90-minutësh.
Shpëtim Duro, ish-ndihmëstrajneri i Kombëtares në kohën e Oto Bariç dhe trajneri aktual i Laçit në Superiore, e sheh me sy pozitiv atë ndeshje. Për Gazeta Si ai thotë se mjafton që qëllimi u arrit.

“Këto lloj ndeshjesh janë të vështira dhe ne nuk jemi skuadër e nivelit të lartë. Edhe skuadra më të mëdha kanë pasur vështirësi aty, pasi Andorra luan e gjitha prapa. E rëndësishme është që të zgjidhet ndeshja, u zgjidh, ne fituam 3 pikët dhe kjo ka vlerë. Kundërshtari nuk na rrezikoi asnjëherë, ndaj e shoh pozitivisht.
Mendoj se Shqipëria do të shihet në vazhdimësi, ndryshon situata nga ndeshja në ndeshje. Ndryshon Anglia në interpretim, nuk do të jemi në pozitat e Andorrës. Këto ndeshje (Andorra) janë problematike kur nuk merr rezultatin. Ne fituam dhe ajo ndeshje duhet kaluar, sepse u arrit qëllimi. Do të shohim me Anglinë, të paktën si nivel loje, sepse Anglia mund të të mundë”, – shprehet fillimisht specialisti kryeqytetas.
Duro gjykon se në nivelin e lojës ndaj Andorrës nuk ka të bëjë fakti se në prag është sfida e madhe me Anglinë: “Mendjen tek Anglia? Jo, nuk e besoj, çfarë vlere do të kishte Anglia, nëse do të liheshin pikë me Andorrën. Janë ndeshje të vështira për t’u interpretuar, siç e thashë, kur rrinë 11 lojtarë prapa. Prisja pak më shumë nga mesfushorët, që të luanin më thellë. Memushaj, për shembull, është nga lojtarët më të rëndësishëm në Kombëtare, me përvojë, ndoshta nuk pati shumë hapësirë”.

Pastaj Duro analizon me detaje skemën e trajnerit Edi Reja, duke i dhënë atij plotësisht të drejtë për 3-5-2-shin që aplikon. “Skemën nuk e ndryshon trajneri dhe për mua është ajo e duhura, sepse Shqipëria ka lojtarë me kualitet në mbrojtje. Nuk mund të sakrifikojë trajneri përpara, duke prishur mbrojtjen, aq më tepër ndaj kundërshtarëve të fortë, siç janë Anglia, Polonia apo dhe Hungaria që i kemi në grup.
Ismajli, Gjimshiti dhe Kumbulla janë mësuar me ekipet e tyre me këtë skemë dhe nuk mund të sakrifikohen. As Hysaj nuk del nga roli. Edhe Lenjani është mbrojtës, por luajti shumë mirë dje në mesfushë. Të dy janë futbollistë që kanë ekuilibër në lojën mbrojtje-sulm dhe i përshtaten skemës së trajnerit, pastaj çdo gjë varet nga interpretimi”.

Në fund edhe një mendim për sulmin dhe lojtarët e këtij reparti: “Pse luajmë me dy sulmues? E rëndësishme është që skuadra ka ekuilibër në lojë, në krahë, në mbrojtje dhe në sulm. Të dy sulmuesit që luajnë tani, Cikalleshi dhe Manaj, janë gjithmonë në shërbim të skuadrës, mbrojnë dhe sulmojnë.
Uzuni? Kemi shumë sulmues cilësorë tani. Nuk është problem të luajë edhe Uzuni me Brojën, por është bindja e trajnerit. Të gjithë e meritojnë të luajnë, sepse janë paraqitur mirë me klubet e tyre, e meritojë edhe Broja e Uzuni, por dyshen e sulmit trajneri nuk e ndryshon. Edhe në mesfushë kemi lojtarë përveç atyre që luajnë, është Laçi dhe lojtari i ri që ka ardhur (Bajrami). Të shohim tani me Anglinë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




