Këtë të diel, do të fillojë në vend vaksinimi masiv i grupmoshave mbi 70 vjeç me vaksinën ruse “Sputnik V”.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi se që sot do të nisë shpërndarja e vaksinave, 10 mijë doza të së cilës erdhën në Shqipëri disa ditë më parë, si dhuratë e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Gjatë vizitës në ISHP për verifikimin e kushteve të ruajtjes së vaksinave, Manastirliu deklaroi se “Sputnik V” është një vaksinë e sigurt edhe pse e ndryshme nga “Pfizer” dhe “AstraZeneca”.
“Nga dita e diel, ne do të vijojmë vaksinimin masiv të grupmoshave +70 vjeç, duke organizuar gjithmonë punën me mjekët e familjes dhe qendrat shëndetësore kudo në vend. Ndërkohë që nga sot, do të fillojë shpërndarja në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.
Ndërkohë, Përgjegjësja e Programit Kombëtar të Vaksinimit në ISHP, Erida Nelaj theksoi se të gjitha vaksinat e marra nga Shqipëria, janë të sigurta dhe të testuara, ndërsa u ndal tek “Sputnik V”, ardhja e së cilës ngjalli mjaft debate krahas vaksinës kineze gjatë ditës së djeshme.
Ndërkohë, vijon procesi i vaksinimit anti-Covid dhe që nga nisja e fushatës, janë kryer 59,348 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.
Të enjten, kanë mbërritur 192 mijë doza të tjera vaksine të kompanisë kineze “Sinovac”, (Rama informoi nga Stambolli se ka siguruar 1 milion vaksina të kësaj kompanie, ku për to doli garant Turqia).
Ndërkohë që objektivi i autoriteteve shëndetësore, është që të vaksinohen 500 mijë qytetarë deri në qershor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



